Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile bëri të ditur dje se ka publikuar listën përfundimtare të zgjedhësve për 8 majin. Pretendohet se kjo është lista më e saktë që është bërë ndonjëherë, pasi është pastruar nga publikimet. Lista mund të gjendet në tre adresa të ndryshme online. Sipas drejtorisë së gjendjes civile lista përfundimtare e zgjedhësve është shpallur në formë elektronike në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Brendshme (moi.gov.al), faqen zyrtare të internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (cec.org.al), dhe në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile (dpgjc.moi.gov.al). ndërkohë gazeta “Tirana Observer” pasqyron sot njësitë bashkiake dhe qendrat e votimit ku do të votojnë më 8 Maj krerët e shtetit dhe emrat kryesorë të politikës.
Krerët e shtetit
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, është i regjistruar në listën e zgjedhësve në Njësinë Bashkiake Nr. 9 në Tiranë. Kreu i shtetit do të votojë më 28 qershor në qendrën e votimit që do të ngrihet në shkollën “Servete Maçi”. Kryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është i regjistruar si zgjedhës në Njësinë Bashkiake Nr. 2 në kryeqytet. Ai do të përmbushë të drejtën e tij kushtetuese duke votuar në qendrën e votimit që do të jetë në Liceun Artistik. Interesant është fakti se kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, do të jetë e vetmja figurë e politikës, e cila nuk figuron si zgjedhëse në qytetin e Tiranës. Më 8 Maj, Topalli duhet të udhëtojë në drejtim të Shkodrës për të votuar, ku ajo është e regjistruar si zgjedhëse. Kryetarja e Kuvendit do të votojë në lagjen “N. Mazi” në Bashkinë e Shkodrës.
Ministrat
Kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës, do të votojë në Njësinë Bashkiake Nr. 8, në qendrën e votimit që do të ngrihet në Çerdhen Nr. 13. Genci Pollo do të votojë në Njësinë Bashkiake Nr.5, në shkollën “Emin Duraku”. Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, do të votojë në të njëjtën qendër votimi ku do të votojë shefi i qeverisë, në qendrën pranë Liceut Artistik, në Njësinë Bashkiake Nr. 2. Në Njësinë Bashkiake Nr. 2 figurojnë edhe emrat e shumë ish-ministrave dhe deputetëve demokratë. Përsa u përket figurave të tjera të së djathtës, presidenti i Asamblesë në Nderit të Partisë Republikane, Sabri Godo, do të votojë në Njësinë Bashkiake Nr. 2, në qendrën e votimit në shkollën “Hoxha Tahsin”, kreu i PR-së, Fatmir Mediu, do të votojë në Njësinë Bashkiake Nr.5. Ndërsa, kreu i LSI-së, Ilir Meta, që në të gjitha zgjedhjet kishte votuar në njësinë minibashkiake Nr. %, këtë radhë do të votojë tek njësia minibashkiake Nr. 5, ku kandidon për kryetar minibashkie, përfaqësuesja e LSI-së, Erisa Xhixho. Po në Njësinë Bashkiake Nr. 5 do të votojë edhe ministri i Shëndetsisë dhe njëkohësisht nënkryetari i LSI-së, i LSI-së, Petrit Vasili, i cili do të votojë në qendrën e votimit që do të ngrihet në Kopshtin Nr. 42.
Opozita
Lideri i opozitës që kandidon për një mandat të katërt për Bashkinë e Tiranës, Edi Rama, do të votojë në njësinë Bashkiake Nr.7 në Tiranë. Edi Rama do të votojë në qendrën e votimit që do të ngrihet në Institutin e Historisë. Ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, ashtu si gjithmonë do të votojë në shkollën “Dora Distria”, në Njësinë Bashkiake Nr.10. Pritet që gjatë votimit, ish-lideri socialist të lëshojë batuta të shumta, pse jo edhe kundër Edi Ramës. Ndërsa kryetari i Partisë Social-Demokrate, Skënder Gjinushi, do t’i drejtohet qendrës së votimit në shkollën “Edit Durham”, në Njësinë Bashkiake Nr. 5. Edhe kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, figuron në listat e zgjedhësve në Njësinë Bashkiake Nr. 5, ku ai do të votojë në shkollën “Dëshmorët e Lirisë”. Ndërsa, Erion Veliaj, do të votojë në shkollën “Fan Noli”, në Njësinë Bashkiake Nr. 2. Kurse kreu i PDK-së, Nard Ndoka, do të votojë në Njësinë Bashkiake Nr. 2.
Sulmohet faqja e KQZ. Hakersat: Votoni për Sali Berishën
Dje në orët e paradites për më shumë se 30 minuta faqja zyrtare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishte pjesë e një sulmi informatik. Ne imazhin e kapur pak pas orës 10:00 po të klikoje në faqen zyrtare do të shfaqej kjo pamje (NE FOTO) ku ndër të tjera thuhej: VOTONI SALI BERISHEN. Pas 30 minutash faqja jepte shënimin se po punohej. Edhe në këtë moment faqja e re shfaq probleme. Klikuesit duhet të shkojnë sërish tek faqja e vjetër.