Çdo kandidat i PD-së për kryetar bashkie duhet ta sigurojë çdo qindarkë të shpenzimeve për fushatën elektorale nga xhepi i tij. Ky është urdhri që u është dhënë nga kreu demokrat, Lulzim Basha, secilit nga 61 kandidatët e Partisë Demokratike që garojnë më 21 qershor. Përmes urdhrit që iu është thënë gojarisht gjatë një mbledhjeje në selinë blu, bëhet e qartë se asnjëri prej tyre nuk do të përfitojë lekë nga partia dhe se fushatën elektorale duhet ta përballojnë me shpenzimet e tyre apo duke mbledhur fonde nga simpatizantët.
Nisur nga ky urdhër, kandidatët e PD-së po sigurojnë paratë që u duhen për fushatën, e cila tashmë ka filluar, edhe pse ende jo zyrtarisht. Demokratët që garojnë më 21 qershor po mundohen të mbledhin sa më shumë financime përmes njohjeve dhe miqësive të tyre si dhe duke mbledhur kuota nga anëtarësia e partisë.
Pjesa më e madhe e kandidatëve pothuajse kanë mundur të sigurojnë shumat e para, nisur nga fakti se të gjithë kandidatët kanë përmbyllur bërjen e posterave, hapjen e zyrave elektorale, pagesën e qerasë së tyre, makinat që u duhen për lëvizjen nëpër zonat përkatëse, etj. Urdhri i kreut Lulzim Basha nuk bën përjashtim për asnjë nga 61 bashkitë, as për ato më të mëdhatë, të Tiranës, Elbasanit, Durrësit, Korçës apo Shkodrës. Bazuar mbi këtë urdhër të Lulzim Bashës, të gjithë kandidatët e PD-së po bëjnë fushatë me paratë e tyre dhe të miqve që i rrethojnë.
FONDET E PARTIVE
Më datë 7 maj, Kuvendi miratoi me 83 vota të mazhorancës projektvendimin “Për miratimin e fondit nga buxheti i shtetit për financimin e partive pjesëmarrëse në zgjedhjet vendore të vitit 2015”. Fondi që mori dakordësinë e parlamentarëve është 650 milionë lekë të reja, të cilat partitë do t’i përdorin për fushatë për zgjedhjet e 21 qershorit. Nga fondi i buxhetit të shtetit do të mund të përfitojnë forcat politike që në zgjedhjet e fundit kanë marrë 0.5 për qind votave.
Më herët, më 12 shkurt, KQZ-ja bëri shpërndarjen e tyre sipas përllogaritjeve. KQZ-ja ka ndarë paratë për 12 parti parlamentare dhe joparlamentare, në kuadër të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit. Nga fondi prej 190 milionë lekësh të reja, pjesën e “luanit” e ka marrë partia e parë më e madhe në Kuvendin e Shqipërisë, Partia Socialiste, duke vijuar më pas me Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Partia Socialiste ka marrë 73,7 milionë lekë të reja, Partia Demokratike, partia e dytë me më shumë deputetë në Parlament ka marrë 52,3 milionë lekë të reja. Ndërsa partia e tretë parlamentare, LSI-ja, ka marrë 20,5 milionë lekë. Më pas, Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka marrë 7,5 milionë lekë, e kështu me radhë.
Shpërndarja e fondit buxhetor për partitë politike këtë vit bëhet sipas ligjit “Për partitë politike”, të ndryshuar, ku financim nga buxheti marrin jo vetëm partitë parlamentare, por edhe partitë jashtë Parlamentit, që kanë marrë mbi 10 mijë vota në shkallë vendi. Shpërndarja e 90% të fondit bëhet në bazë të të qenit parti parlamentare, pra pasjes së të paktën një mandati në Kuvend.
Me vendosjen e sistemit të ri, proporcional rajonal, ky kriter nuk përputhet më plotësisht me peshën elektorale të partive dhe si pasojë krijon një disbalancim të pajustifikuar në shpërndarjen e fondeve financiare për partitë politike. Shpërndarja e buxhetit për financimin e partive u bazua në tri kritere: 70% e fondit bazuar në numrin e mandateve të fituara në zgjedhjet e fundit parlamentare; 20% e fondit e shpërndarë në mënyrë të barabartë ndërmjet partive parlamentare dhe atyre joparlamentare, që kanë marrë mbi 10 mijë vota në zgjedhjet e fundit parlamentare, dhe 10% të shpërndara për ato parti që kanë marrë mbi 1% të votave në zgjedhjet e përgjithshme.