Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama pritet të takohet ditën e shtunë të kësaj jave, ose në varësi të axhendës së tij, të martën e javës që vjen, me kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.
Lajmi është konfirmuar dje për “Gazeta Shqiptare” nga burime zyrtare të selisë rozë. Dy ish-miqtë e vjetër do takohen pas katër vjetësh për të rënë dakord për zgjedhjen e një Presidenti konsensual.
Takimi vjen pas një kohe shumë të gjatë marrëdhëniesh të akullta mes tyre dhe fill pasi kreu socialist takoi për të njëjtën çështje paraardhësin e tij, Fatos Nano, kandidatin e parë zyrtar për garën presidenciale. Rama mblodhi dje edhe grupin parlamentar për të sqaruar deputetët rreth takimit me Nanon.