Kur mbushet një javë nga vrasja në Tiranë e bankierit Artan Santo, policia vijon kontrollet intensive në zonën e Fushë-Kuqes. Kontrolle janë kryer në banesat në Fushë-Kuqe të Lezhës, nga forcat speciale RENEA të mbështetura dhe nga forca të Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe oficerë të Drejtorisë së përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Në të gjithë hyrje-daljet Lezhë-Tiranë janë vendosur postblloqe duke kontrolluar automjetet.
Vëmendja e policisë është përqendruar në rrethin e Lezhës, pas gjetjes së një motori dhe dy skafandrave të ngjashme me ato që u përdorën në ekzekutimin e biznesmenit Santo ndërsa tentoi të futej në zyrën e bankës që drejtonte prej vitesh në zonën e ish-bllokut në Tiranë.
Në qeli për atentatin ndaj biznesmenit Santo, janë vetëm kushërinjtë nga Fushë-Kuqja, Saimir dhe Klodian Gjuzi, të cilët fillimisht u ndaluan si pronarë të motorit të sekuestruar nga policia në një servis në zonën e Bunqit të Fushë-Krujës, i ngjashëm me atë të përdorur në vrasjen e Santos. Por më tej, nga kontrollet në banesa atyre iu gjetën armë, ndërsa e kaluara e Klodian Gjozit ishte me precedent kriminalë në Greqi. Ai ishte i dënuar 7 vjet për vrasje dhe i konsideruar i rrezikshëm për shtetin Helen për shkak të grabitjeve me armë. Sakaq, motori rezultoi se ishte vjedhur në Janar të këtij viti në Selanik të Greqisë. Duke u bazuar mbi veprimtaritë e mëparshme kriminale, ndaj tyre u bë testi i parafinës i cili nxorri gjurmë baruti në duart e tyre.
Më herët, në disa magazina në zonën e Mamurrasit u gjetën dy skafandra, edhe ato mjaft të ngjashme me kokoret e zeza që kishin dy autorët e fiksuar nga kamerat e sigurisë mbi motorin pa targa, të cilët ekzekutuan me revolver me mulli bankierin Artan Santo më 26 Qershor.