Vrasja e biznesmenit Artan Santo ka nxjerrë në dritë edhe shumë prapaskena dhe probleme, të cilat uniformat blu i hasin çdo ditë. Problemi më i madh që u evidentua dhe që vijon të jetë një gangrenë për uniformat blu është fakti që mjetet e policisë në shumë raste nuk kanë karburantin e nevojshëm për të kryer lëvizjet e domosdoshme brenda për brenda kryeqytetit.
Ky problem mesa duket ndikoi edhe në operacionin policor të disa ditëve më parë, teksa gjatë ndjekjes së vrasësve të Santos, mjetit që i ndiqte në afërsi të Rinasit, i mbaroi karburanti. Por, nga kjo ngjarje është parë si problem serioz mungesa e karburantit, pasi edhe vetë efektivët e policisë e kanë ngritur disa herë zërin, por u ka rënë në vesh të shurdhët.
“E mbushim vetë në shumë raste makinën me karburant. Makinat me të cilat bëhet patrullim në Tiranë kanë të drejtë që të marrin vetëm 5 litra karburant, nga të cilat dy litra duhen vajtje-ardhje tek karburanti dhe në makinë ngelen vetëm 3 litra, me të cilat duhet të bësh patrullim gjithë ditën në Tiranë. Nuk mund ta imagjinoni se çfarë mund të bëjmë ne në rast se ndodh një ngjarje dhe makinat kanë vetëm 3 litra karburant”, bëjnë me dije burime policore.
Por, ekzekutimi i Santos ka nxjerrë në pah edhe faktin se sa në tension punojnë efektivët e policisë, të cilët kanë bërë gafa pas ngjarjes së Santos. Burime të sigurta bëjnë me dije se, edhe pse vrasja e biznesmenit është regjistruar në orën 09:15:30 sekonda, shumë efektivë kur janë marrë në telefon pas ngjarjes për t’u pyetur se kur i kanë ngritur postblloqet për të kapur autorët, efektivët kanë nxituar dhe janë shprehur se kanë qenë në krye të detyrës dhe se postblloqet i kanë ngritur në orën 09:14 apo në orën 09:13 minuta, gjë që është pak e çuditshme, duke u nisur nga fakti se ngjarja ka ndodhur më vonë. Ndërkohë, bëhet me dije se po analizohen të gjitha veprimet e policisë para dhe pas ngjarjes.
Për të mos folur më pas për mungesën e radiove të komunikimit mes efektivëve të policisë, të cilat mungojnë në masë dhe me to janë pajisur vetëm shefat dhe shumë pak efektivë policie.