Home Aktualitet Vrasja e biznesmenit në Durrës, dëshmia: E kishin bërë ‘sallatë’ nga plumbat

Vrasja e biznesmenit në Durrës, dëshmia: E kishin bërë ‘sallatë’ nga plumbat

541
0

72354Me katër plumba, dy në kokë e dy në zemër, është ekze-kutuar 40-vjeçari Plaurend Cani, biznesmen në fushën e ndërtimit, gjatë një atentati të mirëorganizuar të tipit mafioz. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 8 e 30 të mëngjesit, në sektorin “Teuta” në plazhin e Durrësit, pak metra larg themeleve të një pallati që po ngrihej nga biznesmeni, i mbërritur në Durrës kohët e fundit nga Italia. Policia e qytetit bregdetar bëri me dije se 2 persona të maskuar që lëviznin me motor e kanë qëlluar me armë zjarri tip pistoletë 40-vjeçarin dhe janë larguar me shpejtësi nga vendi i krimit. Plaurend Cani, baba i tre fëmijëve të mitur, kishte pak kohë që ishte kthyer nga Italia, ndërsa mësohet se ai ishte dënuar në vitin 2006 në këtë vend për trafik droge. 40-vjeçari ka qenë duke pirë kafe me shoferin dhe disa prej punonjësve të tij. Biznesmeni është transportuar në spital në gjendje të rëndë, por ka ndërruar jetë disa minuta më pas. Nga ndërtimi i skenës së krimit, hetuesit janë të bindur se ka qenë një atentat i tipit mafioz dhe vrasja është bërë nga njerëz me pagesë. Autorët e kanë ruajtur për disa ditë viktimën, kanë pritur me kujdesin më të madh që në tavolinë të kishte sa më pak persona, për të mos shkaktuar viktima të tjera. Precizioni i lartë i qitësit, tregon se autori ka qenë i stërvitur, ndërsa ekspertiza mjeko-ligjore thekson se viktima është qëlluar nga një distancë prej 2 metrash. Pista kryesore e hetimet mësohet të jetë larje hesapesh për shkak të së kaluarës së tij në shtetin italian, por nuk përjashtohet edhe ndonjë konflikt pronësie për tokën ku po ndërtohej pallati prej Canit. Neki Qypi, pronari i lokalit ku ndodhi vrasja, dëshmitar gjatë ekzekutimit të 40-vjeçarit, rrëfen në një intervistë për “Gazetën Shqiptare” ngjarjen, ndërsa pohon se plumbat i kishin shkaktuar dëmtime të mëdha biznesmenit, duke e bërë, siç shprehet ai, ‘sallatë’. Z. Neki, çfarë ndodhi në lokalin tuaj? Pronari i pallatit që po ndërtohet ishte ulur këtu (tregon me dorë tavolinën). Ishte me shoferin e tij, po pinin kafen e mëngjesit. Bashkë me ta duke pirë kafe, ishin edhe ustallarët që po bëjnë pallatin. Flisnin për punën, për ndërtimin. Më pas punëtorët u larguan dhe ai mbeti vetëm me shoferin. Arritët t’i shihnit autorët? Ishte një motor i madh, dëgjova zhurmën kur u nis me shpejtësi. Të dy ishin me kaska mbrojtëse në kokë. Nuk mund t’i dalloje. Ata, besoj që kanë pritur sa të largoheshin punëtorët që të kryenin këtë krim. Ndaluan motorin afër trotuarit, njëri zbriti dhe u drejtua nga tavolina e cepit ku ishte biznesmeni me shoferin. E ka qëlluar disa herë. Më pas u larguan me shpejtësi. Po pastaj, në cilin drejtim u larguan autorët? Nuk pamë gjë, se për momentin u frikësuam të gjithë. Me vrap mbërritën punëtorët e firmës së tij dhe shoferi së bashku me ata e futën në makinë. E kishin bërë sallatë, në gjendje shumë të rëndë. Më pas erdhi policia dhe e bllokoi qarkullimin. Çfarë ju tha policia? Na thanë që “nuk ka gjë me ju, vazhdoni punën të qetë”. Por u tmerruam nga e gjithë kjo që ndodhi. Lamë të gjithë verandën e lokalit, se këtu u mbytëm nga gjaku. Ishte bërë si mos më keq. Për dy orë e ca, nuk lëvizëm asgjë nga vendi. Policia na tha që të mos prishnim provat.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here