Hidhet në erë makina e biznesmenit vlonjat. Drejtuesi i mjetit, 42-vjeçari Isuf Brahimaj (Kokaj), vdes në vend i karbonizuar, ndërsa një vajzë 19 vjeçe, që ishte pasagjere, është në gjendje të rëndë.
Dy kallëpe me lëndë eksplozive C4 (rreth 500 gramë), që janë aktivizuar me telekomandë në distancë, kanë mjaftuar për të çuar në fund qëllimin e të interesuarve: eliminimin e Isuf Brahimajt. Ai kishte rreth një muaj që ishte kthyer nga Holanda, shtet në të cilin jetonte
pjesën më të madhe të kohës bashkë me të vëllain, Ermal Brahimaj. Ky i fundit, më 31 gusht të vitit të kaluar i shpëtoi një atentati me bombë të telekomanduar në makinën e tij në Rrugën Transballkanike, vend ku ndodhi edhe ngjarja e djeshme. Policia e Vlorës bëri të ditur se automjeti tip “Mitsubishi” me targa AA 848 JX, që drejtohej nga Isuf Brahimaj, shpërtheu në ecje.
Ngjarja e rëndë ndodhi në orën 07:14, pranë rrethrrotullimit në sheshin “OMONIA”, vetëm pak metra ku iu bë atentat edhe vëllait të tij. “Viktima ka qenë duke udhëtuar me makinën e tij, i shoqëruar nga 19-vjeçarja Ornela Gjini, kur mjeti shpërtheu në ecje”, bëri të ditur Policia. Shpërthimi ka qenë tepër i fortë, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të shënjestrës.