ITALI- Policia italiane ka sekuestruar mbrëmjen e sotme 2 ton lëndë narkotike, ndërsa ka vënë në pranga 36 persona, 16 prej të cilëve shqiptarë.
Bëhet fjalë për shtetasit Edmond Marku, Gerti Marku, Ditmir Vucaj, Aleks Mejdani, Leonard Samkaj, Tafil dhe Daniel Popa, Arben Demaj, Shyqyri Demaj, Vullnet Rexha, Artur Braha, Sokol Ndoci, Martin Lulaj, Alfred Dekaj, Emilion Veka dhe Gentian Isufaj. Bëhet e ditur se Ditmir Vucaj, Edmond e Gerti Marku, këta dy të fundit vëllezër, ishin dhe drejtusit e bandës.
Ndër lëndët narkotike të bllokuara 15 kilogramë ishin të llojit kokainë, ndërsa 1988 kg ishin marijuana dhe një sasi e llojit Ekstazi.
Sipas mediave, mësohet se vlera e drogës së pakur shkonte në mbi 2 milion euro. Organizata kriminale e cila drejtohej nga një shqiptar, kishte pikat e saj në Holandë, Belgjikë dhe Shqipëri. Bëhet e ditur se kokaina vinte nga Holanda, ndërsa marijuana nga Shqipëria.
Droga e ngarkuar në një kamion mbërriti në Itali, por fal operacionit të ndërmarrë nga policia e Milanos dhe Firences është bërë e mundur sekuestrimi i lëndës narkotike, ndërsa me urdhër Gjykate janë bllokuar 9 automjete dhe 13 llogari bankare të personave që rezultojnë të implikuar në trafik.
Skema e trafikut të drogës
Skema e trafikut të drogës nga banda shqiptare ishte e ndërtuar në mënyrë të tillë që ti ngjante një sipërmarrje ndërtimit. Njëri prej të arrestuarve quhej ‘Arkitekti’, ndërsa komunikimi mes grupit bëhej me kode, që të nënkuptohej ndërtimi i një pallati. Mësohet se droga importohej kryesisht nga Holanda dhe Mali i Zi.