Ndryshme në kupolën e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri zhvilloi një mbledhje me strukturat e larta të policisë, për të firmosur disa prej emërimeve dhe shkarkimeve. Sipas policies ndryshimet bëhen, me synim rritjen e performancës në strukturat e Policisë së Shtetit.
Sipas informacioneve paraprake, mësohet se një ndër emërimet është dhe ai i zëvendësdrejtorit të Policisë së Shtetit për hetimin e krimit, të cilin do ta mbajë tashmë Haki Çako. Çako mbante më parë postin e drejtorit të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, ndërsa tani do të zëvendësojë në këtë post Sokol Bizhgën, i cili është emëruar drejtor i studimeve strategjike.
Bilbil Mema zyrtarizohet si drejtor i Shkollës së Policisë, ndërsa më herët ishte në Drejtorinë e Studimeve Strategjike.
Ndërkohë, në Gjirokastër është emëruar drejtor i policisë Kastriot Skënderaj, i cili më herët mbante postin e drejtorit të policisë Vlorë. Alban Çela emerohet si drejtor në Policinë e qarkut të Kukësit.
Mësohet se ‘vala’ e ndryshimeve ka prekur dhe Drejtorinë e Policisë në Durrës, ku drejtuesi i saj Perlat Cullahaj është emëruar në krye të drejtorisë së policisë Vlorë. Ndërsa nuk dihet ende se kush do të drejtojë drejtorinë e Policisë së qytetit bregdetar të Durrësit.
Mësohet gjithashtu se Zyhdi Dajti është emëruar në postin e Drejtorit i Sigurisë Portuale. Emërimi i Zyhdi Dajtit vjen pas dorëheqjes së tij nga INUK, post të cilin e mbajti për 10 muaj.
SOKOL BIZHGA PËR NEWS24: KËRKOVA VETË TË LËVIZ NGA DETYRA
Ish-zv drejtori i Policisë Sokol Bizhga në një intervistë për News24 shprehet se lëvizja e tij nga detyra është bërë më kërkesën e tij.
“Bizhga është shprehur se “Duhet të kryej shumë detyra me partnerët kundër krimit. Duhet strategji kundër krimit të organizuar në nivel rajonal. Vlerësoj detyrën që m’u besua”, tha Bizhga pas transferimit në detyrë.
Në njoftimin e policisë, thuhet se Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, ka firmosur emërimin në detyrën e Zv/Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për krimin e Organizuar e Krimet e Rënda Z.Haki Çako, i cili më parë kryente detyrën e Drejtorit të Policisë së Qarkut Gjirokastër.
Po ashtu ka firmosur lirimin nga detyra e Zv/Drejtorit të Përgjithshëm për Kufirin e Migracionin të Z.Pëllumb Nako, i cili ka përmbushur afatet e parashikuara në ligj për qëndrimin në detyrën e Zv/Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.
Ndërkohë me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Z.Artan Didi, janë bërë ndryshimet e mëposhtme:
– Z.Sokol Bizhga është emëruar në detyrën e Drejtorit të Studimeve Strategjike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.
– Z.Pëllmb Nako është emëruar Specialist në Drejtorinë e Studimeve Strategjike.
– Z.Bilbil Mema është emëruar Drejtor i Qendrës së Formimit Policor.
– Z.Kastriot Skënderaj është emëruar në detyrën e Drejtorit të Policisë së Qarkut Gjirokastër, më parë kryente detyrën e Drejtorit të Policisë së Qarkut Vlorë.
– Z. Alban Çela është emëruar në detyrën e drejtorit të Policisë së Qarkut Kukës, më parë kryente detyrën e Zv/Drejtorit të Policisë së Qarkut Berat.
– Z.Ilirjan Balla është emëruar Shef Sektori në Drejtorinë për Krimet e Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, më parë kryente detyrën e Drejtorit të Policisë së Qarkut Kukës.
– Z.Afrim Tafa është emëruar Zv/Drejtor i Policisë së Qarkut Berat, më parë kryente detyrën si Shef Sektori në Drejtorinë për Krimet e Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
– Z.Jaeld Çela është emëruar Drejtor i Policisë së Qarkut Vlorë, më parë kryente detyrën e Zv/Drejtorit të Policisë së Qarkut Durrës.
– Z.Ervin Hasrama është emëruar Shef i Komisariatit të Policisë Durrës,
– Z.Erdit Elmazi është emëruar Shef i Komisariatit të Policisë Fier,
– Z.Rifat Çoku është emëruar Shef i Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe
– Z.Haki Hasanbega është emëruar Shef i Komisariatit të Policisë Mallakastër