Home Aktualitet Viti i ri shkollor, Nikolla, Kumbaro dhe Basha urojnë nxënësit e mësuesit

Viti i ri shkollor, Nikolla, Kumbaro dhe Basha urojnë nxënësit e mësuesit

477
0

viti-shkollorRreth 600 mijë nxënës të arsimit 9-vjeçar dhe atij të mesëm janë ulur sot në bankat e shkollës për nisjen e vitit të ri shkollor. Pjesa më e madhe e tyre janë të regjistruar në arsimin bazë, ndërsa pjesa tjetër do të ndjekin shkollat e mesme të përgjithshme dhe ato profesionale.

Ndërkohë që, për shkak të situatës politike në të cilën ndodhet vendi, Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka bërë të ditur numrin e saktë të të regjistruarve, numrin e fëmijëve që do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës dhe të atyre që do të ndjekin arsimin bazë dhe të mesëm.

Vitin e kaluar shkollor numëroheshin rreth 385 mijë nxënës në arsimin bazë dhe 146 mijë në atë të mesëm, ndërsa mbi 36 mijë fëmijë ishin regjistruar në klasën e parë. Mendohet që shifrat të jenë pak a shumë të njëjta me një vit më parë, ndërsa një vend të rëndësishëm zë edhe regjistrimi i fëmijëve të emigrantëve të kthyer.

BASHA: UROJ NXËNËSIT PËR NJË VIT TË MBARË E TË SUKSESSHËM
Ora 09:10 – Kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha zgjodhi shkollën “Sami Frashëri”, për të shprehur urimin e tij për të gjithë nxënësit dhe mësuesit, që nisin sot vitin e ri shkollor. Basha theksoi se Bashkia e Tiranës do të vazhdojë të investojë në infrastrukturën arsimore.

“Uroj nxënësit për një vit të mbarë e të suksesshëm. Bashkia e Tiranës po investon në infrastrukturën arsimore duke ndërtuar shkolla të reja. Do të investojmë për 9 palestra dhe 25 laboratorë të rinj”- është shprehur Basha.

NIKOLLA: POLITIKA TË REJA PËR ARSIMIN
Ora 08:40 – Ministrja e re e Arsimit Lindita Nikolla dhe ajo e Kulturës Mirela Kumbaro vizituan “Liceun Artistik”, prej nga uruan të gjithë nxënësit dhe mësuesit për fillimin e vitit të ri shkollor.

“Nuk kishte më bukur se sa dita e parë e punës si ministre e Arsimit të përkonte me ditën e parë të shkollës. Sot pati edhe një veçanti në fakt që lidhet me këtë shiun që thonë është bereqet, por unë do të uroja që të ishte realisht një begati dijesh në këtë vit shkollor. Erdhëm këtu në Liceun Artistik për të uruar jo vetëm nxënësit e kësaj shkolle, mësuesit realizimin e pritshmërive të tyre për më shumë dije, për më shumë aftësi, për më shumë pasion për shkollën. Qeveria e re është e vendosur që programi i saj të jetë një program që lidhet me shkollën dhe me arsimin dhe me mirë edukimin e fëmijëve, të jetë një program i integruar. Politika do të mbetet jashtë dyerve të shkollës, por për arsimin do të bëhet politika më e mirë që lidhet posaçërisht me dijen, trajnimin e mësuesve.” –deklaroi ministrja Nikolla.

“Arti dhe kultura nuk janë vetëm produkt i artistëve, por vetë kultura dhe arti duhet të jetë pjesë e të gjithë popullatës. Edukata kulturore do të jetë pjesë e të gjitha programeve të institucioneve kulturore. Edukimi kulturor do të jetë një ndër motorët tanë më të fuqishëm dhe të gjithë do të jemi të bashkuar, me Ministrinë e Arsimit për të shtrirë në programet shkollore por dhe për ta përhapur në të gjitha format në të gjitha grupmoshat.”- deklaroi ministrja Kumbaro.

SHKOLLAT NE TIRANE
Sa u takon shkollave të kryeqytetit, Bashkia e Tiranës ka njoftuar se ka krijuar të gjitha kushtet e nevojshme për mbarëvajtjen e mësimit. Konfirmimi është dhënë nga drejtori i Ndërmarrjes Nr.3, Alfons Muça. Sipas tij, për vitin shkollor 2013-2014 janë rikonstruktuar 4 shkolla, ndërsa është bërë restaurimi dhe mirëmbajtja e plotë e gjithë objekteve të tjera. “Me fillimin e vitit të ri shkollor 2013-2014, Bashkia e Tiranës ka marrë të gjitha masat për restaurimin, mirëmbajtjen dhe rikonstruksionin e një pjese të madhe të shkollave të Tiranës. Kemi mundësuar rikonstruksionin e 4 shkollave të kryeqytetit, nga të cilat, 2 kanë përfunduar dhe janë gati për fillimin e vitit të ri shkollor, ditën e nesërme, përkatësisht shkollat “Ibrahim Brahja” dhe “Murat Toptani”. Janë në proces rikonstruksioni dhe pritet të përfundojnë semestrin e dytë të vitit të ri shkollor shkolla “Niket Dardani” dhe “Eqerem Çabej”. Gjithashtu kemi bërë restaurimin dhe mirëmbajtjen e plotë të të gjitha objekteve shkollore që ka qyteti i Tiranës. Pritet që kushtet në të gjitha shkollat e Tiranës të jenë shumë më mirë se viti i kaluar”, – u shpreh Muça. Gjithashtu, ai ka reaguar edhe në lidhje me një raport të Autoritetit Shëndetësor Rajonal, në të cilin thuhej se 4 shkolla duhej të mbylleshin për shkak se nuk plotësonin kushtet higjieno-sanitare. Sipas Muçës, për këto shkolla janë realizuar të gjitha detyrat e lëna nga ASHR-ja. “Kemi pasur lidhje dhe kontakte të herëpashershme me të gjithë Autoritetin e Shëndetit Publik, kemi marrë masa, kemi bërë evidente dhe kemi realizuar të gjitha detyrat që ata kanë lënë. “Siri Kodra”, është një ndër ato shkolla që është përmendur nga Autoriteti i Shëndetit Publik, dhe është bërë restaurimi i plotë i saj. Të gjitha objektet shkollore, pa përjashtim, do të jenë në kushte shumë më të mira. Ju garantojmë se të gjitha shkollat e Tiranës dhe një pjesë që brenda semestrit të dytë do të futen në fazën tjetër të rikonstruksionit, do të jenë me parametra shumë bashkëkohorë”, – shpjegoi Muça.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here