Kreu i bashkisë Erion Veliaj ka propozuar një ridizenjim të hartës administrative të Tiranës, që qytetarët të marrin shërbimet aty ku banojnë.
Gjatë bilancit të investimeve me banorët e njësisë nr.6 në Kombinat, Veliaj tha se zona e Astirit do të trajtohet si pjesë e njësisë 6.
“Propozimi ynë i parë është që e gjithë zona e Astirit, siç realisht po i merr shërbimet në Kombinat, edhe në kufijtë administrativë të trajtohet nga njësia nr. 6. Tani që mbushet ky afat dhe na jep mundësinë ligjore, do t’i çojmë Parlamentit të ri dhe qeverisë së re të gjitha propozimet tona për ridizenjimin e hartës administrative të Tiranës, që realisht njerëzit t’i marrin shërbimet aty ku jetojnë, ku kanë shkollat, ku kanë çerdhet dhe kopshtet”, theksoi ai.
Pas përurimit të sheshit “Skënderbej”, Veliaj deklaroi se më datë 20 qershor do të hapet edhe Bulevardi i Ri i Tiranës. “Na jepni mundësinë t’ju shërbejmë, po aplikojmë për t’u bërë shërbëtorë, për një kontratë pune shërbimi, jo sundimi, jo shefash, jo komandantësh. Në datë 20 do të hapim Bulevardin e Ri të Tiranës, një projekt i shtyrë 25 vjet”, tha Veliaj.