Deputeti Dritan Prifti ka qenë sot në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë ku është njohur me dosjen e hetimeve mbi video-përgjimin e regjistruar nga ai vetë. Dosja është dërguar në Kuvend nga Prokuroria ku kërkohet heqja e imunitetit për deputetët Ilir Meta dhe Dritan Prifti, të përfshirë në video.
Ndërkaq disa media në vend kanë zbuluar sot ekzistencën e një filmimi të dytë , që është fshirë nga Dritan Prifti, por që ka mbetur në memorie. Në këtë video, për të cilën Prokuroria ka kërkuar qartësimin e pozicionit të Priftit, mësohet se flitet për përfitime të parregullta ndërkohë që është filmuar ndarja e një shume parash prej 70 mijë euro.
Më herë u njoftua se Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar zyrtarisht heqjen e imunitetit për deputetët Ilir Meta dhe Dritan Prifti. Kërkesa është depozituar pasditen e djeshme në Kuvendin e Shqipërisë. Prokuroria e Përgjithshme e ndërmer këtë hap pas përfundimit të ekspertizës amerikane mbi video-përgjimin e realizuar nga Dritan Prifti, të cilën e dorëzoi me vullnetin e tij në organin e akuzës.
Po sot kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta tha se do t’i kërkojë kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli për të hequr imunitetin e tij si deputet pa procedura.
“Me qëllim që të cmontohen akuzat televizive ndaj personit tim, në emër të opinionit publik, i kërkoj zonjës Topalli vazhdim të deklarimit tim për dhënien e imunitetit në mënyrë vullnetare, që ta autorizojë atë pa procedurë parlamentare, në mënyrë që prokuroria të mos ketë asnjë justifikim për detyrime ligjore”
Meta tha se është i gatshëm të hetohet nga prokuroria rreth video-përgjimit mes tij dhe Dritan Priftit, e cila sipas tij do të “çmontohet” nga drejtësia
Kreu i LSI u shpreh se video është një sulm politik ndaj tij, i cili do të hidhet poshtë nga drejtësia.
***
Ish- Zv.kryeministri Ilir Meta akuzoi edhe njëherë kreun e opozitës Edi Rama si autor të video-skandalit publikuar rreth një muaj më parë në Fiks Fare. Gjatë një konference për shtyp Meta i shoqëruar dhe nga avokati Petrit Serjani bënë publike konkluzionet sipas tyre të bërë nga ekspertë në lidhje me videon.
Avokati i Metës tha se nga ekspertiza është konkluduar:
“Në sekuencat ku shfaqen dy persona, kostatojmë montime me zë dhe figurë
Ka përsëritje disa herët të bisedave.
Për shkak të ndërhyrjeve në video dhe manipulimeve nuk qartësohet konteksti i bisedës.
Midis transkriptit dhe përmbajtjes vizive ka mospërputhje”
Më tej, Meta tha se ekspertiza, detajet e së cilës do të behën publike në vazhdim tregon qartë dhe konfirmon deklarimet e mia të bëra vetëm një ditë pas publikimit të videos, se ishtë një montim i porositur nga Edi Rama
“Ka mospërputhje midis dëgjimit dhe titrave duke patur fshirje të shumta të bisedës, të cilat kanë qenë të qëllimshme, për të prodhuar një efekt emocional ndaj teleshikuesit”- tha Meta
Ai apeloi për përshpejtim të hetimeve nga ana e Prokurorisë, ndërsa shtoi se është i hapur ndaj kësaj të fundit.
Nderkohe, sot pas daljes nga ambientet e Prokurorisë, Dritan Prifti iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në lidhje me dëshmitë e tij në këtë institucion për çështjen e video-skandalit ku protagonist shfaqet ish-zv.kryeministri Meta. Prifti tha se kishte dhënë dëshmi në lidhje me videon e skandalit dhe u shpreh i kënaqur për faktin se kishte konstatuar se hetimet për këtë çështje janë marrë seriozisht.
Gjithashtu, Prifti nënvizoi faktin se nga ekspertiza kishte kuptuar se videoja kishte rezultuar e pastër dhe pa montazh, ndryshe nga sa është pretenduar nga vetë Meta dhe anëtarë të tjerë të mazhorancës në kohën e publikimit të saj. “Nuk kishte dyshim nga prokurorët në lidhje më vërtetësinë e videos”, tha Prifti.
Gjithashtu, sipas tij, edhe Meta ishte paraqitur para prokurorëve dhe ka dhënë sqarime në lidhje me videon, por Prifti nuk bëri të ditur më shumë duke përfunduar se “sekretet e hetimit nuk duhet të preken”.