Tashmë ekziston një datë, edhe pse nuk është konfirmuar zyrtarisht. Nga e hëna e 19 shtatorit, rrjeti social “Twitter” do të ofrojë më shumë hapësirë në dispozicion të “cicërimave”.
Ashtu siç ishte njoftuar që prej majit, mes 140 karaktereve apo gërmave nuk do të mund të konsiderohen më fotot, videot, fotot e lëvizshme “gif”, apo sondazhet.
Në rast se do të jeni duke iu përgjigjur një tjetër “cicërime”, edhe emri i personit të dedikuar nuk do të konsiderohet si karakter i statusit, duke mos e ulur limitin.
Njoftimi ka ardhur prej “The Verge”. “Nuk do të heqim dorë nga ideja që Twitter të jetojë momentin. Shkurtësia, shpejtësia ddhe mundësia për të dialoguar në kohë reale, pra të jesh në gjendje të mendosh diçka dhe ta ndash atë shpejt me pjesën tjetër të botës. Këto për ne janë prioritare”, shpjegoi në atë kohë bashkëthemeluesi dhe administratori i deleguar Jack Dorsey.
Risia vjen në një moment veçanërisht delikat për rrjetin social, i cili mund edhe të shitet te një blerës me fuqi më të madhe ekonomike, nëse del një i tillë.