Ekploziv shtyllës së tensionit të lartë të linjës së interkonjeksionit Tiranë-Podgoricë.
Ministria e Brendshme vlerësoi sot se një akt terrorist është shënuar në rrethin e Kurbinit, ku është vendosur lëndë eksplozive në këmbën e një shtylle të tensionit të lartë, të linjës së interkonjeksionit Tiranë-Podgoricë.
Me anë të një njoftimi për shtyp, Ministria e Brendshme bën të ditur se një nga këmbët e shtyllës është dëmtuar rëndë, kurse tek tjetra u gjetën 16 kallëpe tritoli.
“Në datë 31.12.2013, rreth orës 18:00 në vendin e quajtur Nderlalaj, në Milot, rrethi Kurbin, është dëmtuar me eksploziv shtylla e linjes së interkonjeksionit Tiranë-Podgoricë. Nga shpërthimi me lëndë eksplozive është këputur njëra këmbë e shtyllës në lartesinë 10 metra nga toka. Ndërkohë në këmbën tjetër të kësaj shtylle, në lartësi 10 metra nga toka është gjetur një sasi prej 16 kallëpe tritoli me peshë prej 6.4 kilogramë, në të cilën ishte vendosur një kapsollë detonatore me fitil zjarrpërcjellës”.
Më tej njoftimi bën me dije se pranë këmbëve të shtyllës janë gjetur dy kartona me mbishkrimin ‘Nafta’ e ‘Taksat’.
“Në njërën nga këmbët e shtyllës policia ka gjetur dy kartona, njëri me mbishkrimin NAFTA dhe tjetri me mbishkrimin TAKSAT, të cilat ishin të ngjitura me ngjjitese natriban në shtyllë. Shtylla objekt sulmi ndodhet në një faqe mali në afërsi të rrugës së vjetër Milot-Burrel pranë urës me harqe”.
Sipas Ministrisë së Brendshme, ky është akti i parë terrorist në Republikën e Shqipërisë që shoqërohet me mesazhe të qarta të lëna në vendngjarje nga autorët e vetë aktit.
Policia me të marrë njoftim ka mbërritur në vendngjarje dhe ekspertë të xhenierë kanë bërë çaktivizimin e eksplozivit të pashpërthyer. Po kështu mësohet se policia ka administruar të gjitha provat që janë gjetur në vendngjarje, të cilat janë dërguar për ekspertim në Drejtorinë e Policisë Shkencore.
Policia po punon për zbardhjen e dinamikës së këtij akti terrorist si dhe identifikimin e kapjen e autorëve të saj. Materialet e çështjes i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Kurbin për veprën penale “Shkatërrim prone me eksploziv”, parashikuar nga neni 152 i Kodit Penal.