Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i lëshon ultimatum partive t’i japin fund eksperimentimeve me votën. 8 maji do të jetë prova e madhe sipas presidentit, e cila duhet të ballafaqojë idetë dhe jo forcën e flamujt mes militantëve. I ashpër presidenti tregohet kur denoncon abuzimet e subjekteve politike me votën dhe komisionerët si dhe shtimin e kandidateve me identitet politik problematik. Deklarata e presidenti i bëri në takimin me koalicionin e vëzhguesve vendorë, të cilët do të aktivizojnë rreth 1100 monitorues në 8 maj. Organizatat përbërëse të këtij koalicioni ngritën shqetësimin e pasaktësisë së listave dhe mungesën e sensibilizimit për rolin e 8 majit.
Deklarata e Presidentit
Kur kanë mbetur vetëm 11 ditë nga procesi zgjedhor, Presidenti Bamir Topi ka shprehur disa shqetësime në lidhje me ecurinë e fushatës posaçërisht për pjesëmarrjen e ulët të grave në listat e kandidatëve, cilësisë së përfaqësimit dhe tregtimin e votës. “Në këto zgjedhje kemi shumë subjekte elektorale, disa parti të reja,por krahasuar me zgjedhjet e vitit 2007, për shkak të sistemit të ri zgjedhor, kemi rënie drastike të kandidatëve të pavarur apo alternativave lokale politike. Në anën tjetër po me shqetësim kemi konstatuar një numër kandidatësh nominalë me probleme në identitetin politik dhe në cilësitë e përfaqësimit. Informacionet për premtime në shkëmbim të votës, tregtim të votës, presioneve administrative për votë partiake apo forma të tjera abuzimi me votën, megjithëse sporadike, nëse jetësohen përbëjnë akte ta padenja dhe të papranueshme”, tha Topi.
Shqetësimet
Këto shqetësime kreu i shtetit i ka bërë publike gjatë një takimi që pati me përfaqësues nga Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë dhe ambasadoreve te Shteteve të Bashkuara, ambasadorit te Komisionit Europian dhe atij te prezencës se OSBE-se. Presidenti i ka dërguar një mesazh të gjitha partive politike dhe kandidatëve duke i ftuar ata t’i largohen sa më shumë praktikave të gabuara të së kaluarës zgjedhore. “Si President, si politikan dhe si qytetar e njoh dhe e vlerësoj rolin e pazëvendësueshëm të partive politike në një shoqëri demokratike; ato jetësojnë pluralizmin, përfaqësojnë vizionet politike qytetare dhe me votën tonë ushtrojnë qeverisjen politike të vendit. 8 maji nuk është garë midis simboleve, sloganeve, militantëve apo shefave të tyre; partitë dhe kandidatët janë në garë në radhë të parë për të jetësuar sistemin konkurrues demokratik, për të ofruar alternativa zhvillimi dhe modele shërbimi ndaj qytetarëve”, tha Topi. Më 8 Maj do të jenë 1100 vëzhgues vendorë nga të cilët 900, në kohë reale nëpërmjet internetit do të raportojnë gjithka që ata do të observojnë.
Sequi: Plotësoni standardet për anëtarësimin në BE
Nëse vendi ynë kërkon shpejt të anëtarësohet në BE, më parë duhet të plotësojë reformat dhe rekomandimet e BE-së. Është, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Etore Sekui që ka kërkuar sot nga klasa politike në vend plotësimin e standardeve për të marrë anëtarësimin në Bashkimin Europian. Në tryezën e organizuar nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), për impaktin e liberalizimit të vizave, Sequi ka vlerësuar se heqja e vizave ishte një hap i rëndësishëm, por për t’u bërë pjesë e BE-së duhet që të kryhen reformat e kërkuara. “Integrimi në Bashkimin Europian ka të bëjë me pjekurinë e demokracisë”. Kështu është shprehur sot ambasadori i BE-së në vendin tonë, Ettore Seqiu, duke kërkuar nga Shqipëria vazhdimin e reformave të nisura dhe plotësimin e kritereve të lëna si detyrë. Gjatë fjalës së tij në tryezën për impaktin e liberalizimit të vizave, organizuar nga EMA (Lëvizja europiane në Shqipëri), Sequi e cilësoi liberalizmin e vizave si hapin e parë drejt integrimit. Sipas tij, liberaizimi i vizave ishte një rezultat i përpjekjeve të përbashkëta Shqipëri-BE, por kjo nuk duhet të ndalet me kaq. Ai ka theksuar se vendi ka ende shumë punë përpara, shumë reforma për të kryer deri në integrimin në familjen europiane. Sipas tij, anëtarësimi në BE ka të bëjë me respektimin e të drejtave, garantimin e të drejtës të votës, të pronës dhe gjithë të drejtat e tjera që shqiptarët duhet t’i gëzojnë në vendin e tyre.
PDS, Pullazi: Të çlirojmë vendin nga pushteti i Sali Berishës
Fushata elektorale e kryesuesit të listës shumë emërore të partisë Demokracia Sociale në këshillin bashkiak të qytetit të Tiranës Florian Pullazi po zhvillohet në një tjetër formë. Takimet e tij të radhës kanë qenë ato me tregtarët e tregut ushqimor dhe të tregut industrial, këto vijnë pas takimeve të zhvilluara në shtëpitë e qytetarëve autoktonë të Tiranës. Interesi i tij u përqendrua në ankesat që kishin këto tregtarë në punën e tyre, lidhur me kushtet në të cilat janë të detyruar të tregtojnë produktet dhe mallrat. Pas kërkesave të bëra nga qytetarët, Florian Pullazi, ju premtoi atyre se me krijimin e këshillit të ri bashkiak, ai do të jetë zëri i tyre ose më saktë mund të thonim zëri i munguar që problemet e tyre të mos bien në vesh të shurdhët por të gjejnë një zgjidhje sa më të shpejtë në të mirë të tregtarëve dhe kushtet për aktivitetin e tyre do të përmirësohen. Por gjithçka është e qartë, për të ndodhur kjo, zoti Pullazi i ftoi tregtarët që vota e tyre më 8 maj të shkojë për -“Demokracinë Sociale, se duke votuar për Demokracinë Sociale ju keni votuar dhe për mua si kryesuesi i listës shumë emërore”- tha Pullazi. Me thirrjet e tij brohëritëse ai ju kërkoi qytetarëve votën e tyre jo vetëm për të zgjedhur atë si kryesues i listës shumë-emërore, por për të “çliruar” vendin nga “regjimi diktatorial” në të cilin është zhytur vendi- “Ju duhet të shkoni në votime edhe për një arsye më madhore, se me votën tuaj për Aleancën për të Ardhmen ne i hapim rrugën e çlirimit të Shqipërisë nga një regjim diktatorial i Sali Berishës i cili nuk e lë Shqipërinë të eci përpara dhe ne e kemi mision historik të gjithë bashkë që ta bëjmë këtë”, tha Pullazi
Aleaca “Kuq e Zi” mbledh firma dhe në Ersekë
Aleanca Kuqezi mbërriti edhe në qytetin e Ersekes. Qindra qytetarë nënshkruan peticionin kundër regjistrimit etnik dhe fetar, duke shprehur mbështetjen e tyre për nismen e Aleancës Kuqezi dhe duke kundërshtuar ligjin për regjistrimin e popullsisë. Aleanca Kuqezi thekson se është i papranueshëm qëndrimi refraktar që po mbajnë institutcionet e shtetit shqiptar. Përfaqësuesit e Aleancës Kuqezi kërkuan mbi të gjitha që institucionet shtetërore të bëjnë publike qëllimet e këtij regjistrimi dhe qëllimet pse synohet që të dhënat e mbledhura nga procesi i regjistrimit t’i mbivendosen regjistrit të gjendjes civile. Gjithashtu Aleanca Kuqezi inkurajon institucionet e specializuara që të hetojnë falsifikimet që janë bërë dhe po bëhen me çështjen e pronësisë, duke mos harruar që falsifikimi i akteve të gjendjes civile përbën vepër penale. Përfaqësuesit e Aleancës Kuqezi i bëjnë apel politikës shqiptare që të mos hesht më në lidhje me falsifikimet që po bëhen dhe as me legjislacionin që i favorizon ato. Aleanca Kuqezi deklaron se lëvizja do të përshkallëzohet mbas zgjedhjeve te 8 Majit.