Presidenti i Republikës Bamir Topi i ka vlerësuar zgjedhjet vendore të 8 majit si të suksesshme dhe të zhvilluara sipas standardeve demokratike. Këto përfundime presidenti Topi i ka komunikuar gjatë konferencës së 4-t të Kombeve të Bashkuara mbi Vendet më pak të Zhvilluara në Turqi.
Topi i ka bërë një panoramë situatës më të fundit në vend, sidomos pas liberalizimit të vizave për Shqipërinë me Bashkimin Evropian, duke theksuar se shteti shqiptar dhe qytetarët shqiptarë janë të ndërgjegjshëm për sfidat dhe detyrimet që i presin përpara gjatë rrugëtimit integrues për në Bashkimin Evropian. Konferenca u mbajt në Stamboll, nën kujdesin e veçantë të Presidentit të Turqisë, Abdullah Gyl, ndërsa kreu i shtetit shqiptar ka vlerësuar dhe përkrahur rolin aktiv të OKB-së dhe të shteteve të konsoliduara në përmbushjen e objektivave për prosperitet të qëndrueshëm të vendeve më pak të zhvilluara, gjatë dekadës së fundit.
Topi vuri në dukje se Shqipëria “mbështet të gjitha nismat e komunitetit ndërkombëtar në drejtim të mobilizimit të burimeve financiare.
Më vonë Presidenti Topi është pritur nga kryeministri turk Taip Erdoan. Krerët e shteteve kanë vlerësuan nivelin të marrëdhënieve e të dialogut politik midis dy vendeve, duke nënvizuar rëndësinë e përforcimit të mëtejshëm të tyre në të gjitha drejtimet.