Presidenti i Republikës, Bamir Topi i ka dërguar një mesazh ngushëllimi familjes së shkrimtarit dhe politikanit, Sabri Godo, i cili u nda nga jetas pasditen e së shtunës.
“Lajm i dhimbshem per familjen dhe shoqerine shqiptare. Godo perfaqeson nje personalitet ne fushën e kultures dhe një politikan moderator në politiken shqiptare”- thuhet ndër të tjera në mesazhin e Topit.
Meta i shpreh ngushellimet familjes, Godo
Kreu i LSI-së, në emër edhe të partisë që ai drejton i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit, Sabri Godo. Meta ka vlerësuar lart figurën e Sabri Godos, dhe sidomos rolin që ai ka luajtur në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
PDIU: Humbje e madhe, trishtim për mbarë kombin
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet e quajti një trishtim te madh për të gjithë kombin, ndarjen nga jeta te Sabri Godos. Nëpërmjet një deklarate, PDIU i ka shprehur ngushëllimet familjarëve të Sabri Godos, duke i siguruar se emri i tij do të mbetet me shkronja të arta në historinë tonë moderne.
“Shqiptarët nga të gjitha trevat nga Çamëria në Kosovë humbën një personalitet të shquar të skenës politike dhe shoqërore, një zë të matur dhe të fuqishëm të çështjeve të mëdha të kombit tonë. Humbja e Sabri Godos është një trishtim për mbarë kombin shqiptar, i cili i është mirënjohës për aktivitetin e tij politik kombëtar.”- thuhet në deklaratën e PDIU-së
PS ngushëllon familjen, Rama: Lajm i trishtuar!
Partia Socialiste ka qenë e para e cila ka ngushëlluar familjen e Sabri Godos. Nëpërmjet një njoftimi të shpejtë, kryetari Edi Rama në emër të Partisë Socialiste i shpreh ngushëllimet më të përzemërta familjes së politikanit dhe shkrimtarit.
“Sabri Godo ishte një kundërshtar politik i Partisë Socialiste por ka qenë e do të mbetet për ne një figurë e respektuar e këtyre dy dekadave tranzicion, si njëri ndër autorët e Kushtetutës së Shqipërisë dhe si një aktor me rëndësi i jetës politike shqiptare i cili në momentet e vështira të vendit u mundua ngaherë të ndihmojë për të gjetur rrugën e arsyes. Po ashtu Sabri Godo do të çmohet gjithnjë prej nesh për konseguencën e tij në mbrojtjen e interesave e vlerave tona kombëtare.”- thuhet më tej në deklaratën e PS-së.
Më herët, kreu i Partisë Socialiste Edi Rama, menjëherë pas dhënies së lajmit për vdekjen e shkrimtarit dhe politikanit, Sabri Godo, vlerësoi figurën e tij, si dhe ngushëlloi familjen.
“Lajm i trishtuar! Nderroi jete autori i Ali Pashe Tepelenes. S’ishim miq, por cmoj shume librat e zonjen e tij qe e ngushelloj nga zemra.”- shkruan kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama në Twitter.