E ndërsa stinës së verës po i afrohet fundit, i nxehti afrikan që ka përshkuar vendin ka drejtuar qytetarët drejt plazheve apo pishinave. E diela e nxehtë, me temperatura të cilat kanë kaluar 37 gradët të paraqesin një Tiranë të boshatisur. Bregdeti i Durrësit, kodrat e liqenit si dhe komplekset e shumta të pishinave në Tiranë janë destinacionet e qytetarëve në ditët e fundit të verës.
Kalimi i fundjavës në këto ambjente shlodhëse i shmang qytetarët edhe nga i nxehti afrikan, i cili i ekspozon ata përballë rreziqeve virale të shkaktuara nga vapa. Temperaturat e larta, të cilat sipas sinoptikantëve pritet ti afrohen 40 gradëve ekspozojnë qytetarët ndaj virozave të ndryshme. Dalja në oraret e pikut të vapës duhen shmangur si dhe nevojitet konsumimi i sa më shumë uji dhe lëngjeve. Këshillohet që një person të konsumojë rreth 2 litra ujë gjatë 24 orëve. Po ashtu konsumimi i perimeve të stinës janë ushqimet që këshillohet të përdoren. Moshat më të rrezikuara mbeten fëmijët e vegjël si dhe personat e moshuar, të cilët duhet të shmangin lëvizjet nën rrezet e nxehta të diellit.