Ora 11:00 e së Dielës (21 Shtator) do të kthejë vëmendjen e mediave botërore drejt Shqipërisë. Është pikërisht momenti kur Papa Françesku do të mbajë nga sheshi “Nënë Tereza” në Tiranë Meshën e Shenjtë për të gjithë besimtarët katolikë dhe qytetarët dashamirës të fesë…dhe nga kjo vizitë na ndajnë vetëm pak orë.
Në vizitën e tij të shkurtër, thuajse 11 orë, Papa do të promovojë dialogun ndërfetar mes shumicës myslimane dhe të krishterëve dhe do të përkujtojë viktimat e komunizmit.
Rrugët e kryeqytetit janë veshur me flamurin kombëtar të Vatikanit përkrah flamurit tonë kombëtar me shqiponjën dykrenare. Punëtorët janë duke finalizuar altarin në sheshin “Nënë Tereza” që prej një muaji i është nënshtruar një ristrukturimi të gjerë. Nga ky altar Ati i Shenjtë do të mbajë meshën përpara mijëra katolikëve, por edhe myslimanë shqiptarë…dhe jo vetëm. Qindra besimtarë të tjerë kanë ardhur nga Maqedonia, Kosova, Mali i Zi dhe nga vendet e tjera evropiane.
Supermasa nga policia, 2500 efektivë në shesh
Plot 2500 forca policore janë angazhuar me detyra konkrete për të garantuar mbarëvajtjen e të gjithë aktiviteteve të zhvilluara në kuadër të vizitës së Papa Franceskut, ndërsa 15 autoambulanca do të qëndrojnë në gatishmëri. Po ashtu, përgjatë Bulevardit do të vendosen stafe mjekësore me cadra për të garantuar siguri në çdo rast si dhe 6 pika uji. MB: Ja cilët rrugë bllokohen për mjetet
Ati i Shenjtë do të përshkojë sheshin “Nënë Tereza” me një makinë të bardhë të hapur, për të pasur kështu kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët shqiptarë që do të presin bekimin e tij.
Të gjithë personat që do të ndjekin meshën do t’i nënshtrohen kontrolleve të rreptë të sigurisë, të cilat janë përforcuar tashmë në pikat kufitare që lidhin Shqipërinë me Kosovën dhe Maqedoninë, vende në të cilat shumë shqiptarë janë rekrutuar për t’u vendosur në radhët e xhihadistëve në luftërat në Siri dhe Irak.
Për të kujtuar martirët e kishës shqiptare, në një vend për disa dhjetëvjeçarë ishte e ndaluar të besoje në Zot, në bulevardin kryesor të Tiranës “Dëshmorët e Kombit” janë vendosur portretet e 40 priftërinjve të vrarë në diktaturë, të cilët i shtohen qindra besimtarëve të krishterë dhe myslimanë, të torturuar, të burgosur dhe të përndjekur vetëm se besonin në zot dhe ruanin në shtëpi librat e shenjtë të Biblës dhe Kuranit.
Por jo vetëm kaq! Ndryshime të tjera rrënjësore përfshinë sheshin “Nënë Tereza” në kuadër të kësaj vizite. U shembën lokalet e kioskat, rreth e rrotull sheshit, u restauruan godinat e Pallatit të Kongreseve, Akademisë së Arteve, ndërsa Fast-Food “Kolonat”, ndërmjet Rektoratit, u zhvendosën. Në “rrënojat” e objekteve të shembura, por jo vetëm, janë mbjellë pemë.
Udhëheqësi më i lartë i Kishës Katolike, që do të mbërrijë të dielën, ora 09:00, është Papa i dytë që viziton Shqipërinë. Për Papa Franceskun është vizita e katërt në një vend të huaj, dhe e para në Europë, pas vizitës në Brazil, në Tokën e Shenjtë dhe Korenë e Jugut.
Axhenda e vizites nje ditore te Papa Franceskut ne Shqiperi
Itinerari zyrtar i vizitës disaorëshe të Papës në Shqipëri nis të dielën (ora 09:00) me mbërritjen në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, ku më pas merr udhë një axhendë e ngjeshur me takime me zyrtarët më të lartë të shtetit dhe drejtues të klerit fetar në vend.
Në Rinas Atit të Shenjtë i është rezervuar pritje zyrtare nga Kryeministri Edi Rama dhe disa përfaqësues të Kishës Katolike.
Në orën 9:30 është planifikuar ceremonia e mirëseardhjes në oborrin e Presidencës, shoqëruar me një vizitë kortezie me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani.
Ora 10:00 do ta gjejë Papën në sallën e pritjes së Kreut të Shtetit, në një takim me autoritetet, ndërsa më pas do të ketë një fjalim nga ana e tij.
Në orën 11:00, në sheshin “Nënë Tereza”, Ati i Shenjtë do të kremtojë Meshën e Shenjtë. Do të bashkëkremtojnë me të edhe 2 kardinalë, 18 ipeshkvinj, 240 meshtarë, 10 seminaristë dhe 4 diakonë.
Në hapësirën para altarit, do të vendosen një grup të sëmurësh, për të cilët Papa Francesku ka gjithmonë kujdes të veçantë, disa të rinj të dioqezave të Shqipërisë, të Kosovës dhe të Malit të Zi, si edhe një numër personash, të ftuar nga Kisha Katolike, ndër këtë zyrtarë të lartë të shtetit, përfaqësi diplomatike në Shqipëri, besimtarë dhe persona që i kanë qëndruar pranë Kishës në këto 20 vite.
Në orën 13:30 është planifikuar një takim dhe drekë me ipeshkvinjtë shqiptarë dhe me shpurën papnore në Nunciaturën Apostolike.
Në mjediset e Nunciaturës Apostolike, Ati i Shenjtë do të takojë ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri, me një grup bashkëpunëtorësh të Ministrisë së Brendshme.
Në ora 16:00 në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, Papa do të takohet me krerët e besimeve të tjera dhe komuniteteve të krishtera. Ati i Shenjtë, duke vlerësuar bashkëjetësën fetare në Shqipëri ka shprehur dëshirën të takojë personalisht përfaqësues të komuniteteve fetare të vendit tonë. Në këtë takim do të marrin pjesë përfaqësues nga komuniteti mysliman, ortodoks, bektashian, katolik dhe protestant. Ky takim do të zhvillohet pa praninë e mediave.
Në orën 17:00 do të jetë kremtimi i Lutjes së Mbrëmësores në Katedralen e Tiranës. Në këtë takim do të marrin pjesë rreth 800 meshtarë, motra, rregulltarë dhe rregulltare, si dhe përfaqësues të lëvizjeve laikale në Shqipëri.
Në orën 19:45 në aeroport do të zhvillohet ceremonia e largimit të Papës nga vendi ynë dhe 15 minuta më vonë, Ati i Shenjtë do të lerë tokën shqiptare.