Tirana festoi 72- vjetorin e çlirimit të saj në 17 nëntor të vitit 1944. Në sheshin pranë monumentit të Ushtarit të Panjohur, si çdo vit janë bërë homazhe e janë vënë kurora me lule në nder të partizanëve të rënë.
Të pranishëm ishin edhe kryeparlamentari Ilir Meta dhe kreu u Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, të cilët vënë kurora me lule si dhe nderuan të rënët duke shtuar se çlirimi i Tiranës do të kujtohet gjithnjë në të gjitha kohët si një nga betejat më vendimtare të popullit shqiptar në luftën anti-fashiste.
Ilir Meta, kryeparlametar: Është kënaqësi e jashtëzakonshme të shohësh një ndërthurje brezash dhe gjeneratash nga veteranë të nderuar të Luftës Anti-Fashiste Nacional Çlirimtare e deri tek të rinjtë dhe të rejat e kryeqytetit që të nderojnë 17 Nëntorin, këtë ditë të madhe jo vetëm për Tiranën por për të gjithë vendin që simbolizon ditën e çlirimit të kryeqytetit por njëkohësisht edhe që përfaqëson janë nga betejat më të mëdha, më të përgjakshme, të popullit tonë, të partizanëve tanë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe është njëkohësisht një nga demostrimet më të mëdha të vlerave antifashiste të popullit tonë që sot pasohen nga vlerat e integrimit europian.
Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë Tiranë: Janë disa mesazhe që koha i vjetron, janë disa mesazhe që mbeten po aq të freskëta edhe kur kalojnë 72 vjet. Mesazhi i freskët që na vjen nga kjo kohë është që për kryeqytetin, për vendin, historia kërkon sakrifica. Fatmirësisht historia sot nuk kërkon sakrifica e dhënies së jetës, por kërkon që të ndërtojmë me të njëjtin pasion, me të njëjtën energji ashtu si të rinjtë e 72 viteve më parë luftuan për të ruajtur dinjitetin e vendit tonë.