Home Kosova The Economist: E ardhmja e Kosovës dhe akuzat e Marty-t

The Economist: E ardhmja e Kosovës dhe akuzat e Marty-t

629
0

“Një referendum i suksesshëm për të ardhmen europiane të Kosovës”, ishte përcaktimi i kryeministrit kosovar Hashim Thaçi për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë të mbajtura më 12 Dhjetor, të parat për vendin që nga shpallja e pavarësisë në 2008. Partia e z. Thaçi (PDK), pretendon t’i ketë fituar zgjedhjet me 33.5% të votave. Por lajmet që pas mbylljes së sondazheve kanë qenë aq të këqija saqë kjo e ardhme nuk mund të merret si e mirëqenë.
Parregullsitë dhe akuza
Vëzhguesit e zgjedhjeve menjëherë pas procesit, u shprehen se ka pasur parregullsi në shkallë të gjerë. Dy ditë më vone, Këshilli i Europës publikoi një draft-raport ekskluziv, nga Dick Marty, një politikan zvicerian dhe një ish-prokuror, i cili e ngarkon z. Thaçi me akuza si trafik droge dhe vrasje. Pjesa më e madhe e asaj që pretendohet është e ditur, por z. Marty pretendon të ketë gjetur mbështetje për historitë të cilat kanë qenë pushuar më parë për shkak të mungesës së fakteve.
Pretendimi
Pretendimi më i tmerrshëm është se z. Thaçi dhe grupi i tij i mëparshëm i forcave guerile nga krahina e Drenicës, janë përgjegjës për vrasje të serbëve dhe të burgosurve të tjerë, për veshkat e tyre, në vitin 1999. Raporti thotë, se që prej asaj kohe disa agjenci të huaja të specializuara në luftën kundër trafikut të drogës, kanë etiketuar z. Thaçi si të përfshirë në trafikun e heroinës në rajon. Amerika dhe shtete të tjera mike të Kosovës, e kanë toleruar këtë poshtërsi, për hir të stabilitetit, thotë z. Marty.
Reagimi
Këto shpifje janë investiguar edhe më përpara, është shprehur qeveria Kosovare dhe kanë rezultuar të pabaza. Ajo e ka akuzuar Z. Marty se punon për hesap të Serbisë, një pretendim të cilin shumë Kosovarë do ta besojnë. Z. Thaçi ka të ngjarë ta shfrytëzojë këtë rast në favor të tij duke bërë për vete në pjesë të mirë të nacionalistëve, duke argumentuar se nuk është moment për grindje në shtëpi, ndërkohë që armiqtë e Kosovës janë në sulm. Gjithsesi, shprehet një burim diplomatik, deklarata e ka lëkundur autoritetin e kryeministrit, veçanërisht me të huajt.
Manipulimet në zgjedhje
Z. Thaçi mund ta ketë të vështirë për të injoruar pretendimet për manipulime në zgjedhje. Rastet më të rënda të shfaqura vijnë nga Drenica, bastion i PDK, ku një nga vëzhguesit ka denoncuar një manipulim të konsiderueshëm. Petrit Selimi, një kandidat për deputet i PDK përgënjeshtron, edhe pse a i dënon parregullsitë e vogla, partia e tij do të kishte fituar gjithsesi. Të kundërtën pretendon partia opozitare. Rreth 171 thirrje janë lëshuar për të shtyrë formimin e qeverisë së re. Arban Gashi, figura kryesore e Liga Demokratike e Kosovës, partia kryesore kundërshtare, ka kërkuar mbajtën e zgjedhjeve të reja. Pa to është shprehur Gashi, një qeveri e udhëhequr nga Thaçi, nuk do të ketë legjitimitet. Por zgjedhje të reja ka shumë pak të ngjarë të mbahen. Kështu pra, Z. Thaçi mund të jetë në gjendje të formojë një koalicion më një ose më shumë parti të vogla shqiptare dhe mbështetje të minoriteteve në Kosovë, duke përfshirë parti të cilat përfaqësojnë ato pak Serb që kanë votuar. Megjithatë, deklaratat për manipulime në zgjedhje, trafik organesh dhe trafik droge do të pengojnë çdo tentativë të qeverisë për ta vendosur Kosovën në rrugën drejt Bashkimit Europian. Ato gjithashtu do ta vështirësojnë angazhimin e BE për fillimin e dialogut mes autoriteteve Kosovare dhe atyre Serbe. “Ishte keq deri tani”, thotë Arbër Gorani nga Iniciativa për Stabilitet në Kosovë. “Tani është edhe më keq. Kosova nuk mund ta përballojë këtë situatë.
Përktheu Verdi Norja

Thaçi kryeministrinë, Pacolli presidencën

Evropa e Lirë
PDK nuk heq dorë nga posti i kryeministrit për Hashim Thaçin, ndërsa AKR do që presidenca t’i besohet Behxhet Pacollit.
Partia Demokratike e Kosovës nuk do të heqë dorë nga posti i kryeministrit, të cilin do ta marrë nën drejtim për herë të dytë lideri i saj, Hashim Thaçi, thotë Memli Krasniqi nga ky subjekt politik. Sipas Krasniqit, PDK-ja dhe partnerët e ardhshëm në qeveri do të kenë të paktën 75 vota në Parlament. Ndërkohë, AKR-ja rikonfirmon interesimin e saj që posti i presidentit të Kosovës në formulën e ardhshme qeverisëse t’i besohet Behxhet Pacollit. Partia Demokratike e Kosovës, e cila në bazë të rezultateve preliminare është fituese e zgjedhjeve, shpreson se do të lidhë një koalicion qeverisës, i cili do të sigurojë të paktën 75 vota në Parlament. Përderisa është në kërkim të partnerëve me të cilët do të qeveriste mandatin e ardhshëm, PDK-ja e përjashton çdo mundësi që të bëjë kompromise në lidhje me postin e kryeministrit, të cilin thotë se elektorati ia ka besuar liderit të saj, Hashim Thaçit. Zyrtari i kësaj partie politike, Memli Krasniqi, thotë se negociatat konkrete për qeverinë e re do të nisin pas rivotimeve të pjesshme të 9 janarit dhe pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.
Takimi i parë, sipas PDK-së, që kishte për qëllim bisedimet në lidhje me koalicionin e ardhshëm, është realizuar ndërmjet kryetarit të kësaj partie, Hashim Thaçit, dhe atij të Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli. Krasniqi thotë se PDK-ja dhe partnerët do të kenë numra të mjaftueshëm për formimin e qeverisë së re. “PDK-ja, bashkë me partnerët, jo vetëm se do të ketë shumicën e nevojshme, por do të ketë një shumicë stabile me së paku rreth 75 vota në Kuvend. Por, për sa u përket detajeve të marrëveshjes për qeverisje, do t’i bëjmë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve”, thotë Krasniqi.Takimi i së shtunës së kaluar ndërmjet Thaçit dhe Pacollit ka qenë spontan dhe nuk bëhet fjalë për asnjë marrëveshje për koalicion, thotë nënkryetarja e AKR-së, Mimoza Kusari Lila. Në çdo rast, ajo preferon që AKR-ja, përkatësisht kryetari i saj Behxhet Pacolli ta marrë nën udhëheqje postin e presidentit të Kosovës. “AKR-ja ka nominuar kryetarin e saj, Behxhet Pacolli, për president të Kosovës. Kjo mbetet një prej kërkesave që AKR-ja i ka në raport me partnerët e mundshëm të koalicionit. Por natyrisht, çdo gjë do të mbetet dhe do të shihet si subjekt i diskutimit të mëtutjeshëm dhe negociatave që bëhen me partitë politike”, thotë Kusari Lila. Përderisa AKR-ja mbetet e lidhur për postin e presidentit, Memli Krasniqi e mohon çdo mundësi që PDK-ja të lëshojë postin e kryeministrit. Ai thotë se ky post është i liderit të saj, Hashim Thaçit. “Në postin e kryeministrit absolutisht jo – për atë post ka vendosur qytetari i Kosovës. Thaçi ka qenë kandidat për kryeministër, ai e ka marrë besimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, është lideri më i besueshëm dhe më i votuar në vend. Normalisht se ai, këtë përgjegjësi, siç e ka kryer në mandatin e kaluar, do ta kryejë edhe në mandatin e ardhshëm”, thekson Krasniqi.
Ndërkohë, Mimoza Kusari Lila thotë se AKR-ja nuk ka preferenca nëse do të shkojë në koalicion me partinë e parë apo të dytën, por me rëndësi, sipas saj, është që të formohet një qeveri funksionale dhe e bazuar në koncept të përafërt programor. “Nuk ka ndonjë preferencë sa i përket partisë së parë apo të dytë. I rëndësishëm është zbatimi i një programi për qëndrueshmëri ekonomike, që qeverisja dhe bartja e funksioneve të jenë nga njerëz me duart të pastra, profesionistë dhe të përgjegjshëm, si dhe natyrisht marrja e dikastereve, me anë të të cilave mund të ndikohet në zbatimin e politikave për një zhvillim të qëndrueshëm”, thotë Kusari Lila. Në rast se partia e parë do të dështojë të formojë qeverinë, sipas Kushtetutës, nismën më pas e merr partia e dytë, që në këtë rast është Lidhja Demokratike e Isa Mustafës.
Koalicionit me PDK-në tashmë i janë përgjigjur negativisht LDK-ja dhe AAK-ja. Komplikimet për gjetjen e formulës qeverisëse i shton edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila tashmë i ka vënë vijën e kuqe si PDK-së, ashtu edhe LDK-së e AAK-së. Glauk Konjufca, nga Vetëvendosja, thotë se me asnjërën prej këtyre tri partive politike nuk do të lidhet koalicion. e këto parti politike nuk bëjmë koalicione, prandaj nuk do të ketë bisedime me to. “Me këto parti politike nuk bëjmë koalicione, prandaj nuk do të ketë bisedime me to. Mendojmë po ashtu se ky ka qenë edhe qëllimi i manipulimit të zgjedhjeve, pra që të mbeten këta aktorë politikë, që pushteti i ardhshëm të jetë si ka qenë edhe deri më tash, për shkak të pazarllëqeve politike që duan t’i kryejnë me Serbinë dhe me privatizimin e Kosovës… Prandaj, ne edhe e kundërshtojmë këtë rezultat të zgjedhjeve”, thotë Konjufca. Sidoqoftë, aktualisht ka bisedime ndërmjet PDK-së, AKR-së dhe pakicave. Por, dilemat e PDK-së shtohen kur dihet se për formimin e qeverisë nevojiten të paktën 61 vota. Se a do ta mbërrijë këtë kufi minimal, PDK-ja do ta mësojë pas 9 janarit, kur do të mbyllen rivotimet e pjesshme dhe kur do të bëhet ndarja e saktë e ulëseve në Kuvend për secilën parti politike që ka kaluar pragun e nevojshëm.

KQZ vendos për rinumërim të pjesshëm

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka kundërshtuar kërkesat për rinumërimin e votave në të gjitha vendvotimet në Kosovë, por ka kërkuar rinumërimin e votave në të paktën 40 përqind të vendvotimeve. Ndërkohë, procesi i zgjedhjeve për kryetar të komunës në Rahovec, në Kosovën Perëndimore, vlerësohet të këtë përfunduar i qetë me fitoren e kandidatit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Por me gjithë këto vlerësime të autoriteteve të zgjedhjeve për procesin në Rahovec, vëzhguesit e pavarur sërish kanë tërhequr vërejtjen për një numër parregullsisht. Akuzat për keqpërdorim të votës janë paraqitur edhe gjatë votimit në Rahovec, ankesa këto që kanë përshkuar edhe gjithë procesin e zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë, një javë më parë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas ankesave të paraqitura, ka vendosur të përsërisë tërësisht votimet në tri komuna, në Deçan në Kosovën Perëndimore dhe në Drenas e Skënderaj në Kosovën Qendrore, ndërkohë që në dy komuna të tjera do të zhvillohen rivotime të pjesshme. Parregullsitë në veçanti në dy komunat e Kosovës Qendrore, që njihen si mbështetëse të fuqishme të Partisë Demokratike, të kryeministrit Thaçi, vlerësohet se kanë dëmtuar rëndë gjithë procesin zgjedhor në Kosovë, ndërkohë që vëzhgues të huaj dhe ata të misioneve diplomatike në vend kanë kërkuar edhe veprime ligjore.

Rivotim e rinumërim në disa zona

Rivotimi në disa komuna të Kosovës, ndërkohë do të përcillet edhe me rinumërimin e votave në afro 40 për qind të vendvotimeve në shkallë vendi. Autoritetet e zgjedhjeve thonë se pas ankesave për parregullsi në vendvotime të fillojë që prej dy ditësh rinumërimi i votave në mbi 740 vendvotime, nga gjithsej 2280 syresh. Por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me shumicë votash ka kundërshtuar kërkesën për rinumërim të votave në gjithë vendin, një kërkesë kjo që thuhet të jetë bërë edhe nga presidenti në detyrë, Jakup Krasniqi. Zyrtarë të KQZ-së ndërkaq thonë se rinumërimi i votave në 40 përqind të vendvotimeve, nuk do të mund të ndryshojë rezultatin e partive politike, por ai do të mund të ndryshojë numrin e votave të kandidatëve të këtyre partive, që pretendojnë t’u jenë manipuluar votat. Rivotimi i tërësishëm dhe i pjesshëm në pesë komuna, pritet të zhvillohet më 9 janar të vitit të ardhshëm, ndërkohë që PDK, që sipas rezultateve paraprake të KQZ-së ka dalë fituese e zgjedhjeve, ka filluar përpjekjet për krijimin e një koalicioni qeverisës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here