Home Aktualitet Xhami gjigande në Tiranë, hapësirë për 2500 besimtarë

Xhami gjigande në Tiranë, hapësirë për 2500 besimtarë

545
0

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama prezantoi dje projektin për ngritjen e xhamisë së re për besimtarët myslimanë. Ky projekt do të shërbejë si bazë për çeljen e konkursit ndërkombëtar për projektin final të kësaj xhamie gjigande.
Rama
“Xhamia e re do të plotësojë këndin e munguar të bashkëjetesës mes komuniteteve fetare, që tradicionalisht kanë përbërë një pikë referimi dhe kanë përkthyer në pasqyrën e religjioneve, atë traditë qytetare të Tiranës si një traditë solidariteti dhe respekti për tjetrin”- theksoi Rama. Ai shprehu bindjen se xhamia do të jetë një hapësirë shpirtërore për besimtarët dhe një vend për kultivimin e shpërndarjen e dijes. “Xhamia që po ndërtohet në shekullin e 21-të do të reflektojë zhvillimin e kohës së cilës i përket”, nënvizoi kryetari i bashkisë.
Projekti
Sipas të dhënave teknike, xhamia do të ketë lartësi të njëjtë me Pallatin e Kulturës. Minareja mund ta kalojë këtë lartësi maksimale, por duhet të mbetet më e ulët se minareja e Xhamisë së Et’hem Beut dhe se Kulla e Sahatit. Në veri dhe lindje të saj nuk do të ketë ndërtesa ngjitur, ndërsa në perëndim do të jetë një ndërtesë me të njëjtën lartësi. Në veri xhamia do të ketë përballë hotelin “Tirana International”. Në jug të xhamisë do të jenë një varg kullash me lartësi katër kate dhe kulla parashikuar të ndërtohet në vendndodhjen aktuale të Teqes së Helvetinjve.
Hapësira
Xhamia e re do të ketë një sipërfaqe totale ndërtimi prej 17 135 m2 brenda një trualli prej 2930 m2 dhe arrin t’u shërbejë mbi 2500 besimtarëve. Janë 9 nivele, 4 tokësore dhe 5 nëntokësore, që janë të parapara në gjithë këtë hapësirë. Elementët kryesorë të xhamisë do të jenë holli i faljes, biblioteka, salla shumë funksionale, salla e mbledhjeve, mjediset e shërbimit dhe parkimi nëntokësor. Prezantimi i studimit të djeshëm përbën një plan-projekt për ndërtim e Xhamisë, ndërkohë që priten të tjera sugjerime nga arkitektë të ndryshëm duke pasur parasysh sipërfaqen në dispozicion dhe hapësirat e nevojshme për kryerjen e riteve. Xhamia është parashikuar të ndërtohet mbrapa Pallatit të Kulturës.

Xhamia e Haxhi Et’hem Beut
Xhamia aktuale e Tiranës është një monument me vlera historike, e cila në harmoni me Kullën e Sahatit formojnë një kompleks monumental me vlera për qytetin, që i prezantohen çdo vizitori që hynë në qytetin e Tiranës. Xhamia ka filluar të ndërtohet në vitin 1794 nga Mulla Beu. Periudha e ndërtimit zgjati deri më 1821, ndërtim që u përfundua nga i biri i Mulla Beut, Et’hem Beu. Ambientet e brendshme përbëhen nga Salla e Lutjeve mbuluar me kupolë, portiku dhe minarja. Ndriçimi i brendshëm bëhet nëpërmjet 5 dritareve në secilën faqe, të vendosura në tre radhë. Ka vetëm një port hyrjeje në anën veriore. Para portës së hyrjes ka një vend shtesë për lutje duke përfshirë dhe kahun lindor. Portiku mbështetet mbi një bazament, veshja me gurë e të cilit është bërë pak më vonë, rreth vitit 1940. Portiku qarkohet me 14 harqe vendosur mbi 15 kolona prej guri, mbi të cilat kemi kapitelet të zbukuruara me motive bimore. Përveç portikut Haxhi Et’hem Beut i takon dhe ndërtimi i minares, e ndërtuar nga gurë të gdhendur prej mjeshtrave të përpunimit të gurit. Me interes janë edhe gurët prej mermeri të zbukuruara po me motive bimore. Në përfundimin e ndërtimit në vitin 1821 bëhet edhe pikturimi në brendësi dhe në anën e jashtme të Sallës së Lutjeve. Ndërsa arkado mbaroi së pikturuari më 1823. Xhamia e Haxhi Et”hem Beut dallohet dhe nga stili unik i kullës me kupolën e ndriçuar bollshëm. Në përgjithësi pamja e saj e jashtme së bashku me minaren janë tepër harmonike e në përpjestime të arrira. Për vlerat që ka, Xhamia është shpallur monument kulture nën mbrojtjen e shtetit.

Jugu pa energji, OST punime në linjën Tiranë-Podgoricë
Zonat në jug të vendit do të përballen me kufizime të energjisë elektrike për shkak të punimeve që po kryen në linjën 400 kv të interkonjeksionit Tiranë-Podgoricë. Drejtori i Përgjithshëm i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, Sokol Ramadani deklaron se kjo linjë do të përfundojë së shpejti dhe është vepër e rëndësishme, pasi rrit kapacitetet transmetuese të energjisë të vendit tonë. “Po punojmë në 2 linja që furnizojnë jugun e Shqipërisë duke fillaur nga Durrësi e poshtë, ishim të detyruar të bënim kufizime që do të zgjasin vetëm 2 ditë deri në përfundimin e punimeve.” theksoi Ramadani. Krahas linjës së interkonjeksionit me Malin e Zi, Shqipëria do të investojë në ndërtimin e linjave të tilla edhe me Kosovën dhe Italinë, në mënyrë që jo vetëm të rriten kapacitetet transmetuese të energjisë, por edhe të bëhet integrimi i rrjetit energjetik shqiptar me atë europian. Ndërtimi i linjave të interkonjeksionit do ti japë mundësi Shqipërisë që të importojë dhe të eksportojë një sasi më të madhe energjie. Kapacitetet aktuale të transmetimit mbeten të kufizuara, një situatë që pritet të përmirësohet me vënien në funksionim të linjës së interkonjeksionit me Podgoricën.

Gjirokastër, biznesmenët protestë për energjinë
Dhjetëra sipërmarrës kanë protestuar dje në Gjirokastër për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike. Ata u mblodhën pranë nënstacionit të vjetër elektrik të filialit të CEZ Shpërndarje, duke kërkuar nga kompania që të përmirësojë furnizimin me energji. “Ky trajtim i diferencuar po dëmton bizneset në jug të vendit”, tha Mustafa Devolli, kryetari i Dhomës së Tregtisë për qarkun e Gjirokastrës, duke shtuar se se mungesa e energjisë ka shkaktuar një humbje të konsiderueshme financiare. “Në qoftë se situata do të vazhdojë të mbetet e tillë, të gjitha bizneset do të shkojnë drejt falimentit”, tha ai.

Kukës, masa për vendosjen e kasave fiskale
Administrata Tatimore më Kukës ka ndërmarrë një aksion për kontrollin e biznesit të vogël dhe atij të mesëm për pajisjen me kasa fiskale. Duke qenë se numri i bizneseve që tashmë e kanë instaluar kasën dhe afatet kohore për pajisje me të janë shumë të shkurtra, inspektorët u kanë bërë thirrje edhe një herë të gjithë biznesmenëve që të përfundojnë këtë proces pasi në të kundërt sanskionet ligjore do jenë të forta. Ky aksion ndërgjegjësimi është shtrirë në të gjithë qarkun e Kukësit ku numri i bizneseve është i lartë, por numri i atyre që janë pajisur me kasë është mjaft i vogël. Të gjithë tatim-paguesit të cilët kanë detyrim për instalimin e pajisjeve fiskale dhe kanë bërë pagesën e blerjes së saj deri në datën 28 shkurt 2011 do iu rimbursohet pagesa deri në shumën 44 000 lekë.

“Fëmijët shqiptarë”, dhurata për fëmijët me aftësi të kufizuar
Një ambient i ngrohtë dhe festiv si dhe shumë dhurata për fëmijët me aftësi të kufizuara në prag të festave të fundvitit. Kjo është mundësuar nga fondacioni “Fëmijët shqiptarë” dhe kompania e telefonisë celulare që operon në vend AMC. Presidentja e fondacionit “Fëmijët shqiptarë”, znj.Liri Berisha u shpreh se festave të fundvitit, duhet t’i gëzohen të gjithë fëmijët të cilët në çdo moment do të marrin mbështetjen kryesore nga të gjitha strukturat e shtetit si dhe nga organzimat që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. “Pavarësisht nga problemet që fëmijët kanë, të gjithë fëmijët duhet të gëzohen në festat e Vitit të Ri, në festat e Krishtlindjeve. Duhet të gëzohen fëmijët jetimë, duhet të gëzohen fëmijët e zonave të përmbytura, duhet të gëzohen fëmijët me probleme shëndetësore, duhet të gëzohen fëmijët e policëve të vrarë. Nuk duhet të mbetet fëmijë pa u gëzuar, qoftë me festa, qoftë me dhurata në këto festa të fundvitit” tha zonja Berisha. Edhe përfaqësuesi i AMC në vendin tonë tha se kompania që ai përfaqëson do të jetë një mbështetëse kryesore për t’ju lehtësuar sadopak vështirësitë që hasin familjet që kanë fëmijë me aftësi të kufizuar. Festa ka zgjatur për më shumë se një orë ku gjatë së cilës janë interpretuar dhe numra arstikë për këta fëmijë me probleme shëndetësore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here