Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri gjatë një vizite në Azebajxhan ka marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave afatgjata të shitjes së gazit natyror nga projekti i Shah Deniz.
Gjatë kësaj vizite, ministri Gjiknuri ka marrë garanci se shumë shpejt do të fillojë investimi në Shqipëri për infrastrukturën ndihmëse dhe se drejtuesit e projektit janë të gatshëm për të financuar përgatitjen e master planit për gazin në vendin tonë.
Ministri Gjiknuri gjate vizites ne Azerbajxhan
Në takime është diskutuar edhe për mundësinë e shtrirjes së projektit edhe me degëzimin drejt Kroacisë ashtu sikurse përfshirja e mundshme e Kosovës në lidhjen me rrjetin.
Drejtuesit e projektit TAP i shprehën Ministrit Gjiknuri kënaqësinë për gatishmërinë e shfaqur nga qeveria e re dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama për mbështetjen e veçantë të projektit TAP. Ata pohuan se e mirëpresin angazhimin e ekzekutivit të ri për ngritjen e një Task Force me qëllim çuarjen përpara të projektit.
Gjatë qëndrimit të tij në Azerbajxhan, Gjiknuri ka zhvilluar takime të veçanta me drejtues të kompanisë azere SOCAR, drejtuesin e konsorciumit të projektit TAP, përfaqësues të BP, Axpo dhe kompanive të tjera të përfshira në marrëveshje.
Kontratat afatgjata të blerjes së gazit natyror nga projekti Shah Deniz janë firmosur edhe prej “AXPO” dhe “E-ON Ruhr gaz”, të cilat janë dy ndër kompanitë aksionere të projektit TAP, me të cilat Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje të furnizimit me gaz.
Përfaqësuesit e SOCAR shprehën gatishmërinë për të ofruar bursa studimi për studentë që duan të shkollohen në fushën e naftës.