Home Aktualitet Shoferi i plagosur, ne spital i pambrojtur

Shoferi i plagosur, ne spital i pambrojtur

735
1

autobusi2“Nuk e pashë kush më qëlloi. E kuptova që po më qëllonin, vetëm kur më ranë xhamat në fytyrë”. Këtë deklaratë ka dhënë nga Spitali Ushtarak, Albert Gjeçi, shoferi i autobusit, i cili dy ditë më parë në qytetin e Durrësit mbeti i plagosur pas një atentati që ende nuk dihet se kë ka pasur si objektiv. 46-vjeçari rrëfen për “Gazetën Shqiptare” momentin kur plumbat i fluturuan mbi kokë, dy prej të cilëve edhe e plagosën. Për asnjë moment, shoferi i autobusit që transportonte rrobaqepëset e një kompanie në Durrës, nuk pranon se e ka njohur autorin. Policia e Durrësit ende nuk ka dalë në përfundime zyrtare përsa i përket autorit dhe motivit të ngjarjes.
Si ndodhi ngjarja?
Ka qenë herët në mëngjes, rreth orës 07:00, në momentin që unë kisha ndaluar autobusin dhe po prisja që të hipnin punonjësit për t`i çuar në punë. Unë punoj si shofer brenda qytetit të Durrësit në një kompani private. Në momentin që unë isha duke pritur punonjësit, nuk e kisha fare mendjen se para meje kishte qëndruar një motor. As që më shkonte mendja se ai po priste që të më qëllonte mua. Unë isha duke parë nga pasqyra, kur ndjeva xhamat që më ranë në fytyrë. Aty kuptova se diçka po ndodhte dhe pa pasur kohë të mendoja se çfarë po ndodhte, më ra plumbi në kraharor dhe një plumb tjetër më kapi në kokë. U plagos edhe njëra nga pasagjeret në vendin e parë.
E njihnit autorin?
Jo, nuk e njoh. Ai ishte edhe me skafandër në kokë, unë nuk e di fare se kush mund të jetë autori. Dua të sqaroj diçka se është folur në media se autori më ka qëlluar mua për larje hesapesh. Unë po theksoj se nuk është fare e vërtetë kjo, sepse unë autorin nuk e njoh dhe nuk e di fare se kush mund të jetë. Autorin që ka nxjerrë media, unë kam lidhje krushqie dhe nuk kam probleme me atë. Përveç kësaj, unë nuk kam konflikte me njeri, nuk merrem as me drogë, nuk jam as trafikant, punoj thjesht si shofer për të rritur fëmijët e mi.
Në momentin që kishit parkuar, nuk vutë re ndonjë lëvizje të dyshimtë?
Jo, fare. As që e kisha vënë re motorin. Ai ishte vetëm pesë hapa larg autobusit, kur më qëlloi me pistoletë me silenciator. Nuk është se unë kam pasur probleme me njeri, që unë të ruhesha dhe të kisha kujdes kur lëvizja. Ndoshta, autori se ka pasur fare me mua, por këtë gjë duhet ta zbardhë policia. Madje, policia ende nuk më ka thënë asgjë për hetimet. Erdhi dikush më bëri disa pyetje, por më kanë lënë këtu pa policë, pa ruajtje, se në momentin që autori mund ta ketë pasur me mua, ai mund të vijë sërish dhe të më vrasë. Unë nuk ruhem se nuk kam se nga kush, se nuk kam probleme, por policia duhet të bëjë punën e saj.

1 COMMENT

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here