Shefja e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, tha për mediat kosovare se raundi i radhës së bisedimeve me Beogradin zyrtar është propozuar që të mbahet më 14 tetor, por kjo do të konfirmohet vetëm pas takimit me ndërmjetësin Robert Kuper dhe pas konfirmimit se dialogu dhe raundi i ardhshëm do të jetë vetëm teknik.
Sipas saj kushtëzimi i palës serbe për vazhdimin e dialogut me hapjen e temave politike nuk është asgjë tjetër pos tendencë e Serbisë për t’i ndërruar kahun dialogut teknik, kundër të cilit shprehet me këmbëngulje pala kosovare.
“Dialogu është ndërprerë pikërisht, sepse Serbia ka insistuar që të diskutohen tema politike, konkretisht çështja e pikave doganore. Qëndrimi ynë për këtë çështje është i qartë- nuk do të ketë tema politike, të cilat janë linjë e kuqe e institucioneve të Kosovës, përfshirë rezolutën e Kuvendit”, tha zëvendëskryeministrja Tahiri.
Për më tepër, Tahiri rikujton qëndrimin e SHBA-ve dhe BE-së për mos ndryshimin e natyrës së dialogut, për vazhdimin e të cilit pala serbe kërkon hapjen e bisedimeve për pikat kufitare 1 dhe 31 në veri.
“Kërkesat dhe insistimet e reja që i bën pala e Serbisë dhe që i ka shfaqur edhe gjatë takimit me Kuper dje, në fakt janë intenca të Serbisë për të shkelur mandatin e këtij dialogu, i cili edhe me rezolutën e OKB-së është i dizajnuar të jetë vetëm teknik, prandaj për aq sa Serbia insiston për tema politike ajo do të vazhdojë të jetë bllokuese e dialogut”, është shprehur Tahiri.
Duke folur rreth takimit që do të kenë përfaqësues të institucioneve të Kosovës në fillim të javës së ardhme me ndërmjetësin e BE-së, Tahiri tha se aty pritet të shihen se cilat janë qëndrimet e palës serbe.