Presidenti serb, Boris Tadic, ka pranuar se në momentet e fundit të bisedimeve për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbisë i është kërkuar të njohë Pavarësinë e Kosovës. Por sipas tij, kjo kërkesë është refuzuar.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me deklaratën e ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Dacic, se njohja e Kosovës është kusht që Serbia të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Tadic tha se kjo kërkesë është bërë, por jo në formë të prerë siç ka deklaruar ministri Daciç.
Ai shtoi gjithashtu se tani bëhet fjalë për një betejë politike e cila detyrimisht do të përfundojë në favor të Serbisë.
“Ne nuk e kemi pranuar këtë kërkesë dhe as nuk do ta pranojmë. Serbia do t`i bindë partnerët evropian se plotësimi i këtij kushti prej saj është i pamundur”-tha Tadiç.
Më herët ministri i Brendshëm i Serbisë Ivica Dacic tha se Serbia duhet të njohë pavarësinë e Kosovës nëse dëshiron të fitojë statusin e kandidatit për Bashkimin Evropian në muajin mars. “Ne nuk duhet të gënjejmë më njëri-tjetrin ose të tregojmë më përralla, kjo është ajo që kërkohet prej nesh”-ka thënë ai.