Ministria e Brendshme ka publikuar ditën sotme treguesit krahasimorë të luftës kundër kriminalitetit përgjatë 1 viti të qeverisë Rama për periudhën 16 shtator 2013-15 shtator 2014 duke e krahasuar me periudhën 16 shtator 2012-15 shtator 2013. Në cilët evidentohen arritje në luftën kundër drogës, shkeljeve rrugore, korrupsionit, luftës kundër krimit ekonomik, apo edhe ndërtimeve pa leje.
E vetmja pikë në të cilën nuk shënohet arritje është shkatërrimi i pronës me eksploziv, ku ka pasur 2 raste më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Në raportin krahasimor vërehet se për periudhën 16 shtator 2013-15 shtator 2014 ka pasur 79 raste të shkatërrimit të pronës me eksploziv, ndërsa në periudhën 16 shtator 2012-15 shtator 2013 ka pasur 77 raste.
Droga
Në tabelën e treguesve krahasimorë vërehet se policia shtetit ka asgjësuar 541562 bimë narkotike kanabis, 500% më tepër bimë narkotike kanabis se sa në të njëjtën periudhë një vit më parë ku janë asgjësuar 90330 bimë narkotike.
Por asgjësimi i kanabisit nuk është e vetmja arritje nga Policia e Shtetit në luftën kundër drogës. Përgjatë periudhës 16 shtator 2013-15 shtator 2014 janë kapur 101.8 ton marijuanë, 371% më tepër se sa në të njëjtën periudhë një vit më parë ku janë asgjësuar 21.6 ton. Po ashtu edhe Kokainë është sekuestruar më tepër, duke kapur 23.2 kg, 604 % më tepër krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Gjatë kësaj periudhe në luftën kundër drogës janë arrestuar edhe 565 persona, 25 % më tepër se periudha e viti më parë ku janë arrestuar 453 persona. Ndërsa operacione Ndërkombëtare kundër trafikut të drogës janë zhvilluar 45 % operacione më tepër.
Krimet kundër invividëve
Treguesi krahasimor i Ministrisë së Brendshme vlerëson gjithashtu edhe arritje në fushën kundër krimeve fizike, ku evidentohen 17 % vrasje (120 të tilla) dhe 12 persona të plagosur më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Ndërkohë që edhe vjedhje me armë ka pasur më pak duke u ulur me 42%.
Korrupsioni
Në lidhje me rastet e korrupsionit, Ministria e Brendshme bën të ditur se janë zbuluar 64% më tepër raste, 658 të tilla krahasuar me 401 raste për të njëjtën periudhë. Ndërsa janë hetuar 83% më shumë persona.
Qarkullimi Rrugor
Janë 16% më pak rastet me vdekje gjatë periudhës 16 shtator 2013-15 shtator 2014 krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Gjatë kësaj periudhe kanë humbur jetën 259 persona nga aksidentet, ndërsa një vit më parë numri i viktimave ka qenë 309.
Ndërkohë Ministria e Brendshme bën të ditur gjithashtu se ka pasur edhe një rritje të masave administrative ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor duke vendosur 67% më tepër masa administrative dhe duke arrestuar 2322 persona për përdorim pijesh alkoolike, apo pa leje drejtimi.
Ministria e Brendshme: Rritet Besimi i publikut
Nga treguesit krahasimor Ministria e Brendshme del në konkluzionin se besimi i publikut ndaj policisë së shtetit është rritur pasi përmirësimi i cilësisë së shërbimit dhe vlerësimi i shqetësimeve të qytetarëve shprehet në rritjen me 18% të telefonatave të publikut tek numri 129
Ndërtimet pa leje
Gjithashtu Ministria e Brendshme njofton se është rritur me 15 herë më tepër numrii procedimeve penale për ndërtimet pa leje. Duke vënë kështu përpara përgjegjësisë 1491 persona, ndërkohë që në të njëjtën periudhë ishin proceduar penalisht vetëm 94 shkelës.
MB: Janë sekuestruar 375% më shumë pasuri të të dyshuarve
Gjatë periudhës krahasimore, Ministria e Brendshme bën të ditur se janë sekuestruar 111 % më shumë vlera të aseteve kriminale për pastrimin e parave. Ndërkohë që bën të ditur se janë zbuluar 76% më tepër vepra kriminale ekonomiko-financiare. Gjithashtu janë sekuestruar, 375% më shumë pasuri të cilat dyshohen se janë vënë nëpërmjet krimeve të ndryshme.