Enti Rregullator i Energjisë pritet të bëjë publik vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, përballë kërkesave të tre operatorëve të prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes. Ky vendim pritet të merret brenda muajit dhjetor, ndërsa sot bordi i ERE mori në shqyrtim miratimin e tarifave të reja, në një seancë dëgjimore me KESH, OSHEE e OST. Në nisje të seancës dëgjimore, kreu i ERE, Petrit Ahmeti deklaroi se bëhet fjalë për një seancë ku do të shprehet opinioni zyrtar i hapur dhe transparent për të gjithë publikun, në lidhje me rritjen e çmimit të energjisë. Kjo seancë siç shtoi ai, është në përputhje me ligjin.
Kërkesat për rritjen e çmimit
OSHEE ka kërkuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike ndaj konsumatorëve familjarë me 5 lek/kwh, pra nga 7 lek/kwh që është sot kërkon që çmimi të jetë në 12 lek/kwh.
KESH ka depozituar kërkesën pranë ERE-s duke kërkuar që çmimi të rritet nga 2.2 lekë/kwh, në 3.4 lekë/kwh për energjinë e shitur tek OSHEE.
Ndërsa OST nga 0,65 lek/kwh që transmeton sot energjinë në transmetim, kërkon të bëhet 0,75 lek/kwh, dhe kjo tarifë që i faturohet OSHEE-së.
Nëse do të miratohet rritja, çmimet e reja do të nisin nga 1 Janari 2015.
ÇMIMI JO MË I LARTË SE CMIMI I SOTËM MESATAR PËR FAMILJARËT
Qeveria kerkoi sot nga ERE që cmimi mesatar i energjisë pas ristrukturimit, të mos jetë më i lartë se cmimi mesatar, me të cilin e paguajnë sot energjinë konsumatorët familjarë.
ERE sot organizoi një seancë të gjerë dëgjimore me grupet e interesit, të cilët së bashku me operatorët publike KESH, OST dhe OSHEE paraqitën pretendimet e tyre mbi cmimin e ri të energjisë që pritet të hyjë në fuqi në 1 Janar 2015.
KALAJA, BSPSH: KUNDËR RRITJES SË CMIMIT
Kreu i BSPSH-së, Gëzim Kalaja i pranishëm si përfaqësues i grupit të interesit në këtë seancë dëgjimore u shpreh se do të ishte e udhës që në fillim të dëgjohej OSHEE-ja për tarifat e rritjes së çmimit e më pas t’i lihej më shumë kohë në dispozicion grupeve të interesit për pyetje. Ai kundërshtoi ndër të tjera që çmimi i energjisë të rritet.
“Kundërshtojmë rritjen e çmimit të energjisë. Grupet e interesit kanë në dispozicion 70 minuta. Llogariteni çfarë mund të thonë ata për 70 minuta. Ne na duhet kohë të diskutojmë si grupe interesi, duam të konfirmohet sa do ngrihet çmimi. Nuk sollëm protestues këtu para për të respektuar dialogun. Por të mos na vihet koha në dispozicion, shpresoj që të mos bëhet shkak për protesta. E para të prononcohet OSHEE për të treguar sa do i rrisë çmimet e energjisë elektrike, të dëgjohen pastaj grupet e interesit”, tha ai.
Pasi u dëgjuan KESH, OST dhe OSHEE, të cilët theksuan se çmimi i energjisë do të rritet për shkak të keqmenaxhimt dhe për të përmirësuan furnizimin me energji elektrike, Gëzim Kalaja u shpreh se, 600 mije familje pritet të preken nga heqja e fashës.Po sipas tij, “Fasha prek 76 % të shqiptarëve, ndërsa çmimi do të rritet për 76% të shqiptarëve”. Nëse nuk merren parasysh kërkesat e grupeve të interesit, Kalaja paralajmëroi protesta.
GOXHAJ: TË SHTYHET SEANCA
Ndërsa, Altin Goxhaj kreu i Zyrës së Mbrojtjes së Konsumatorit kërkoi që seanca të shtyhet.
“:Të shtyhet seanca, duhet të jetë e ndershme për të gjitha palët”