Home Sport Djemtë e Pep Guardiolës shkatërruan 5-0 “mbretërorët” e Hoze Murinjos.

Djemtë e Pep Guardiolës shkatërruan 5-0 “mbretërorët” e Hoze Murinjos.

1426
0

Barcelona i dha një leksion të hidhur Realit të Madridit, në fitoren 5-0 të “jashtëtokësorëve” katalanas, ndërkohë që trajneri i Barçës, Pep Guardiola i tregoi homologut të tij, Hoze Murinjo, se ka ende për të mësuar për të kuptuar diçka nga magjia kampionëve në fuqi të Spanjës.

Takimi nisi me shtyllën e Lionel Mesit, e vazhdoi me golin e Ksavi Hernandezit pas vetëm dhjetë minutash lojë. Tetë minuta më pas, Vija i shpëtoi mbulimit të Serxhio Ramosit duke goditur drejt portës së Kazijasit, ky i fundit nuk arriti ta bllokojë topin që përfundoi në këmbët e Pedro Rodriguezit për të realizuar golin e dytë. Edhe pjesa e dytë vazhdoi me Barça-show.

Në minutën e 54-t, David Vija tregoi klasin e tij duke trefishuar rezultatin, ndërsa katër minuta më pas realizoi dopjetën e tij pas një pasimi të gjatë perfekt të Lionel Mesit, që nga ana a tij tregoi se është ai lojtari më i mirë në botë dhe jo Kristiano Ronaldo, tërësisht në hije, ashtu siç zhgënjeu dhe shpresa e madhe e Hoze Murinjos, gjermani Mesut Ozil.

Tallja katalanase ishte kaq e madhe sa golin e pestë e shënoi zëvendësuesi Xhefren në minutën e 90-të, ndërkohë që minuta e 92-të rezervoi kartonin e kuq për Serxhio Ramosi për një faull të shëmtuar ndaj Lionel Mesit.

Përfundimisht, Barcelona fitoi takimin e pestë radhazi me Realin e Madridit, që tashmë duhet t’i lëshojë vendin e parë katalansve pas 90 minutave më të ndjekura në planet.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here