BEOGRAD – Ish-presidenti serb Boris Tadiç është pro vizitës së kryeministrit Edi Rama në Beogradit zyrtar dhe thotë se kjo mund të shërbejë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Përmes një deklarate për shtyp të Partisë Social Demokrate e Serbisë (SDS) të ish- presidentit serb, theksohet se provokimet politike dhe dhuna e tifozëve në një ndeshje futbolli nuk duhet të cënojë atë që është arritur deri më tani në zhvillimin e dialogut dhe kompromisin historik ndërmjet popullit serb dhe shqiptar.
“Sjella agresive dhe nxitja e frikës nacionaliste në ditët e kaluara edhe nga ana serbe edhe nga ana shqiptare, janë rezultat i parregullsive në ndeshje futbollit, mirëpo këto sjellje duhet urgjentisht të largohen nga niveli politik. Shpresoj që këto ndodhi janë incidente individuale dhe se kryeministri shqiptar do të vije në vizitë në Beograd dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë do të vazhdojë”,- thuhet në njoftimin e partisë së ish-presidentit Tadiç.
Gjithashtu, Tadiç dënoi sulmet e ndodhura ndaj disa bizneseve shqiptare në qytetet serbe, pas incidenteve që ndodhën në ndeshjen e 14 Tetorit mes dy kombëtareve. Madje ai i ka bërë apel qytetarëve serb, që t’i mbrojnë shqitparët nga sulmet e huliganëve.
“I ftojmë organet përgjegjëse që sa më parë t’i gjejnë dhe t’i sanksionojnë ata që i kryen këto akte dhe që të dalin në mbrojtje të gjithë qytetarëve tonë dhe të drejtave dhe lirive të tyre kushtetuese. I ftojmë anëtarët dhe miqtë e partisë sonë, si dhe të gjithë qytetarët, që të mbrojnë komshinjtë e tyre shqiptarë dhe bashkëkombësit nga secili lloj i agresionit dhe sulmit në lirinë e tyre.”,- thuhet në njoftimin e SDS-it.