“Mami, të lutem, ma thuaj sërish, si nisi Lufta e Parë Botërore?”
“Zemër, ta thashë një herë, ka ndodhur shumë kohë më parë. Një shekull është kohë shumë e gjatë”.
“Por mami, të lutem”.
‘Epo, është e ndërlikuar. A do vërtetë që ta dish?”
“Po, mami”.
“Eshtë një histori e trishtë. Bota ishte organizuar në një mënyrë, dhe ajo mënyrë pësoi kolaps, dhe në proçes u vranë miliona njerëz”.
“Ua. Si ishte organizuar më parë?”
“Kishte gjëra që quheshin perandori. Ato kontrollonin hapësira të mëdha territori, plot me popuj të ndryshëm, dhe disa prej këtyre popujve donin që të vetëqeveriseshin, në vend që të qeveriseshin nga një perandor i largët”.
“Ok”.
“Perandoria Austro-Hungareze ishte një prej tyre. Kishte shumë pallate të mëdhenj në kryeqytetin e saj, Vienën, ku njerëzit vallonin në ballo të mrekullueshme. Ajo qeveriste pjesë të nëj qosheje të varfër të Europës, të quajtur Ballkan, ku sundimin e saj nuk e pëlqenin. Një ditë në vitin 1914, trashëgmitari i perandorisë Austro-hungareze dhe bashkëshortja e tij u vranë në një qytet ballkanik që quhet Sarajevë, nga një djalë i ri, serbo-boshnjak, i cili donte të çlironte sllavët e jugut nga sundimi perandorak”.
“Kjo është e trishtë, mami. Muzika u ndal, ma merr mendja. Po pastaj?”
“Perandoria u zemërua vërtetë shumë. Ajo i kërkoi Serbisë të bënte disa gjëra, ose do të përballej me luftën. Sundimtari në Vienë kishte besim sepse kishte një shok të ngushtë, një fuqi në ngjitje e cila quhej Gjermani. Serbia kishte edhe ajo një shok të mirë, një vend që quhej Rusi, dhe që është i madh. Serbia u spërdrodh disi, siç bën ti me detyrat e shtëpisë, kështu që Austro-Hungaria nisi luftën kundër saj”.
“Po pastaj?”
“Pastaj Gjermania i shpalli luftë Rusisë, e cila kishte mike Francën, të cilës nuk i pëlqente Gjermania, për shumë arsye. Shumë shpejt, Gjermania sulmoi Francën përmes Belgjikës. Kjo gjë zemëroi Britaninë. Ajo hyri në luftë kundër Gjermanisë. Një tjetër perandori – e sëmurë – që quhej Perandoria Otomane u bashkua me Gjermaninë dhe Austro-Hungarinë. Më vonë SHBA, një fuqi në ngjitje, iu bashkua ekipit franko-britanik. Pas pak vitesh, më shumë se 16 milionë njerëz kishin vdekur. Perandoritë austro-hungareze, otomane, gjermane dhe ruse ishin shembur”.
“E gjithë kjo, vetëm se u vra një çift? E çuditshme”.
“Ndonjëherë, gjërat e vogla rriten, njerëzit humbasin durimin dhe perspektivën, ka një shkëndijë dhe pastaj, një rrëmujë e madhe”.
“Mami, mund të ndodhë përsëri, apo jo?”
“Jo”.
“A ka mbetur ndonjë perandori sot?”
“Disa e quajnë Amerikën perandori, edhe pse ajo nuk ka perandor. Eshtë vendi më i fuqishëm mbi tokë, me ushtarë kudo përreth botës dhe popuj të ndryshëm që mbështeten tek ajo, për drejtim dhe mbrojtje. Por Amerika po dobësohet”.
“Pra, mami, mos ka të bëjë me atë që më the, që bota organizohet në një mënyrë, dhe pastaj organizohet në një tjetër mënyrë, dhe në ndërkohë vdesin shumë njerëz?”
“Jo tamam, zemër. Vdesin ku?”
“Në Siri, mami. Çfarë është Siria”.
“Eshtë një vend i vogël, me popuj dhe fe të ndryshme, që u krijua pas shembjes së Perandorisë otomane”.
“Përse luftojnë njerëzit atje?”
“Eshtë e ndërlikuar. A do vërtetë që ta dish?”
“Po, mami”.
“Ishte një tiran brutal, i largët, që vepronte si perandor, dhe disa prej popujve të Sirisë u ngritën kundër tij. Tirani filloi të qëllojë ndaj tyre. Amerika dhe Britania dhe Franca, mes të tjerëve, nuk e pëlqyen këtë, dhe thanë që do të mbështesnin rebelët, por nuk është se i ndihmuan ashtu si duhej”.
“Pse?”
“Sepse siç të thashë, Amerika është e sëmurë. Po dobësohet”.
“Ok, po pastaj?”
“Tirani kishte një shok të madh që quhet Rusi. Kishte dhe një tjetër shok të madh që quhej Iran. Ata të dy donin ta ndihmonin”.
“Atëherë ai fitoi?”
“Jo tamam. Shumë prej atyre që donin ta hiqnin qafe tiranin ishin myslimanë sunitë. Ata kishin mbështetjen e Arabisë Saudite, e cila ka shumicë sunite dhe e urren Iranin dhe ka mbështetur fanatikët sunitë. Turqia, që ishte pasardhësja e Perandorisë Otomane dhe e urren tiranin sirian, u bashkua gjithashtu me rebelët. Por Turqia urren një tjetër popull në Siri, që quhen kurdët, më shumë se sa tiranin – kaq shumë, sa që në fshehtësi ka qenë gati të mbështesë një grup sunitësh të çmendur që presin fytet e njerëzve, vrasin kurdët dhe qëllojnë njerëzit në qytetet në Perëndim”.
“Mami, u ngatërrova”.
“Siria është ndarë, ashtu si Perandoria otomane. Rusia po bombardon disa armiq të tiranit sirian. Amerika po bombardon ata që presin fyte. Edhe Franca. Turqia rrëzoi një avion rus. Rusia është e zemëruar. Kurdët duan shtetin që nuk morën 100 vjet më parë. Arabia Saudite po lufton një luftë mbarërajonale kundër Iranit. Ajo luftë është më e fortë në Siri, ku qindra-mijëra kanë vdekur”.
“E gjitha sepse disa njerëz donin të hiqnin qafe një tiran?”
“Ndonjëherë gjërat e vogla rriten, ka nëj shkëndijë dhe bëhet rrëmujë e madhe”.
“Mami, si do të jetë Lufta e Tretë Botërore?”
“Mos u shqetëso, zemër, çdo gjë është ndryshe tani”.
“Tërësisht?”
“Tërësisht. Ne kemi jetën, lirinë dhe ndjekjen e lumturisë. Gëzuar Ditën e Falënderimeve, e dashur”. /The New York Times