KINE – Infrastruktura portuale dhe sektori i bujqësisë janë dy nga fushat ku Kina do të mbështesë Shqipërinë. Garancinë për këtë e ka marrë në Kinë kryeministri Rama i cili gjatë një takimi me homologun Li Keqiang, ku u theksua domosdoshmëria e bashkëpunimit dypalësh, bashkëpunim që nisi 2 vite më parë.
Në bujqësi pala kineze shfaqi interes të veçantë, sidomos sa i përket importit të produkteve shqiptare e posaçërisht vajit të ullirit. Po ashtu, Kryeministri kinez e foli për një grant të qeverisë kineze për mekanikën bujqësore, si edhe për gatishmërinë për të mbështetur rimëkëmbjen e infrastrukturës së prodhimit bujqësor.
Kryeministri Rama e informoi homologun kinez lidhur me përparimin e katër projekteve të rëndësishme në infrastrukturë, falë Marrëveshjes së Mirëkuptimit të Qeverisë Shqiptare me kompaninë Pacific Construction marrëveshje në të cilën do të përfshihen në vijim edhe Bosnja e Kroacia si palë të interesuara për projektin.
Tjetër çështje e diskutuar ishte finalizimi i negociatave për të filluar punimet në rrugën e Arbrit, si edhe mbështetja kineze për Parkun Industrial në Zonën e re Ekonomike të Durrësit, për të cilin Kryeministri Li Keqiang u angazhua të nxisë përfshirjen e sa më shumë kompanive kineze në jetësimin e Parkut, ku parashihet krijimi i 30 mijë vendeve të reja pune.
Takimi me Kryeministrin e Kinës u zhvillua në kuadër të vizitës zyrtare që Kryeministri Rama po bën në Kinë mbi zhvillimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kinës për nxitjen e mëtejshme drejt konkretizimit të projekteve të përbashkëta që kanë mbështetjen e të dy qeverive.
Të dy Kryeministrat dakordësuan për zhvillimin e një vizite zyrtare të Kryeministrit kinez në Shqipëri, në një kohë të përshtatshme për të dy palët.
Në kuadër të Samitit Ekonomik Kinë-Europa Qendrore dhe Lindore, Kryeministri Edi Rama ishte pjesëmarrës në takimin që Presidenti i Republikës Popullore të Kinës, Shkëlqesia e tij, Xi Jinping zhvilloi me kryetarët e qeverive të vendeve pjesëmarrëse në Samit. Takimi pati gjithashtu në fokus forcimin e partneritetit dhe bashkëpunimit ekonomik mes EQL dhe Kinës.