1 Maji është dita ndërkombëtare e punëtorëve. Pothuajse në të gjithë botën kjo ditë synon të kujtojë angazhimin e lëvizjeve sindikale për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës. Teksa në të gjithë botën 1 Maji është një ditë proteste, në Shqipëri ajo festohet. Ndërkohë në këtë ditë të gjithë punëtorët duhet të protestojnë për të kërkuar plotësimin e të drejtave të tyre në punë.
Kjo ditë, ju referohet protestave të punëtorëve, për 8 oraret e punës, për pagat mesatare të garantuara, për pajisjen, mbrojtjen në vendin e punës.
Kërkesa e parë publike është paraqitur në Australi në vitit 1855 e cila kishte këtë slogan: ” 8 orë punë, 8 orë dëfrim e 8 orë gjumë”.
1 Maji lidhet ngushtë me protestat e përgjithshme e të përgjakshme të dhjetëra mijëra punëtorëve të fabrikave të Çikagos në Amerikë, me 1 maj 1866, ku punëtorët kërkonin të drejtat e tyre në punë. Manifestimi masiv dhe madhështor u bë edhe një vit më vonë, në të njëjtin qytet më 1 maj 1867.
Kështu filloi rrugëtimi i kësaj date, i përqafuar nga miliona punëtorë, i organizuar përmes Lëvizjes sindikaliste dhe partive, që në fokus e kanë pozitën socio-ekonomike të punëtorëve.
Sindikata botërore e caktoi 1 Majin, ditë në të cilën të gjithë punëtorët ushtrojnë presion për sigurimin dhe avancimin e të drejtave të tyre.
Në Europë, 1 Maji filloi manifestimin me Internacionalen e parë të Gjenevës. Nga viti 1890 në Paris, Kongresi themelues i Internacionales së dytë, vendosi që pikërisht 1 Maji të mbetet dita ndërkombëtare e punëtorëve. Nga viti 1891, Kongresi i tretë i Internacionales në Bruksel, mori Vendim, që: Dita e 1 Majit do të kremtohet përgjithmonë dhe në të gjitha vendet, si “festa e punëtorëve“, në të cilën punëtorët do t’i identifikojnë, avancojnë dhe mbrojnë me Kushtetutë e Ligje të drejtat e tyre si: Lirinë, kushtet e punës, rrogën mesatare të garantuar, pushimin ditor, javor, vjetor dhe pushimet tjera sipas nevojës.