Nga kjo e mërkurë e deri në fundjava në territorin shqiptar do të ketë sërish reshje shiu, por ato do të jenë në intensitet të ulët krahasim me reshjet e 1 shkurtit të cilat sollën si pasojë përmbytjet.
Specialistja e shërbimit meteorologjik ushtarak Genta Stafa në një intervistë për A1 Report jep panoramën e 5 ditëve në vijim përsa i përket kushteve atmosferike.
“Intensiteti i reshjeve që u regjistrua ne ditët e fundit të janarit dhe ditët e fundit të shkurtit, nuk do regjistrohen më pasi ishte një intensitet i lartë, tashmë deri në fund të kësaj jave ne nuk presim reshje të atij intensiteti.”- tha Genta Stafa.
Sipas specialistes ditët e ardhshme do të ketë dhe prezencë të erërave dhe rënie të temperaturave.
“Gjatë ditës së sotme duke qenë se kemi qenë në aktivitetin e masave ajrore të paqëndrueshme kanë vazhduar reshjet, këto herë pas here edhe në formë shtrëngatash. Për ditën e nesërme presim një përmirësim të kushteve meteorologjike, pritet mot me vransime dhe artenimesh, reshjet do të rikthehen në orët e mbrëmjes dhe në mesnatë. Përsa i përket ditës së premte ne presim përsëri rikthimin e reshjeve , do të jenë reshje të herë pas hershme me shtrëngata që do të përfshijnë të gjithë territorin e vendit. Përsa i përket ditës së shtunë presim reshje që do të jenë më intensitet me të dobët se dita e premte, reshjet e dëborës do mbeten prezentë në zona verilindore.”- shtoi specialistja Stafa.