Home Aktualitet Sherbimet inteligjente japin alarmin: Shume Euro false qarkullojne ne treg

Sherbimet inteligjente japin alarmin: Shume Euro false qarkullojne ne treg

844
0

Në Shqipëri po qarkullojnë prerje 50, 100 dhe 200 të kartmonedhave euro-false. Sipas verifikimeve, kartmonedhat janë të cilësisë së lartë të falsifikimit, veçanërisht prerja 200 euro.
Informacioni është përpunuar nga shërbime inteligjente dhe një burim i tha Shekullit se këtë muaj pritet një sasi e dytë prej Kosovës. Burimi i ka prekur konkretisht keto monedha në Shqipëri në fillim të muajit Mars 2011.
Përpjekje për të futur në tregun shqiptar euro false ka patur disa, por këtë herë, destinacioni dhe qëllimi janë të paracaktuar. Sipas burimit, sasia e eurove të futura këtë herë do të përdoren gjatë fushatës elektorale kryesisht në zonat rurale për të mashtruar elektoratin.
Një burim policor ka dëshmuar se rreth tri javë më parë, ka patur një plan operacional për të ndërhyrë në një zonë pranë bregdetit, për bllokimin e një sasie të madhe eurosh false, por në momentet e fundit, aksioni është anulluar dhe nuk është folur më për të, të paktën deri ditën e djeshme. Mbeten të paqarta arsyet e mosndërhyrjes, ndërkohë që eurot janë në qarkullim dhe një sasi tjetër pritet të hyjë në prag të fushatës elektorale.
“Kontrolluam eurot, 40% ishin false”
“Banka Qendrore Europiane (BQE) merr në vazhdimësi të dhëna nga Europol dhe Interpol për numrat e serive të eurove false dhe këto të dhëna i vihen në dispozicion të gjithë rrjetit ndërkombëtar bankar dhe prodhuesve të teknologjisë antifalse.
Kompania AGIMB, furnitori zyrtar i bankave në Shqipëri dhe Kosovë, vazhdimisht dërgon të gjitha eurot e mbledhura në terren tek Magner USA, i cili është edhe prodhuesi i teknologjisë antifalse që përdoret nga sistemi shqiptar.
“Vetëm gjatë tre muajve të fundit, kompanisë AGIMB i është ofruar dy herë përpunimi i sasive të mëdha të eurove jashtë rrugës bankare dhe 40% e shumave rezultuan false. Kërkesa bëhet pasi teknologjia e përdorur është e njëjta e aplikuar në ¾ të bankave shqiptare”,- tha dje për Shekullin, administratori i kompanisë, Bardhyl Brovina.
Një histori e shkurtër e monedhës europiane dhe mënyrat e mashtrimit me eurot false

‘Blerjet me kusur’ dhe ‘dhënia në dorë’,
mënyrat më të lehta për mashtrim

Banknotat ose Kartëmonedhat Euro janë kartëmonedhat zyrtare të euros, valutës së eurozonës. Ato kanë qenë në qarkullim qysh nga 2002 dhe prodhohen nga Banka Qendrore Evropiane (BQE), secila e mban nënshkrimin e Presidentit të Bankës Qendrore Evropiane. Denominimet e notave dallojnë nga 5€ tek 500€ dhe, për dallim nga monedhat euro, dizajni është identik për të gjitha vendet e eurozonës, megjithëse prodhohen në vende të ndryshme të saj.
Janë shtatë denominime të ndryshme, secila ka ngjyrën dhe madhësinë e vet, që dallon nga tjerat. Dizajni për secilën nga ato ka një temë të zakonshme me arkitekturën Evropiane në periudha të ndryshme artistike. Pjesa e sipërme (ose recto) e notës përmban dritare ose porta ndërsa pjesa tjetër (ose verso) ka ura.
Të përbashkëta për të gjitha notat janë Flamuri Evropian, inicialet e Bankës Qendrore Evropiane në pesë verzione (BCE, ECB, EZB, ???, EKP), një hartë e Evropës në pjesën e prapme, emri “euro” në Latinisht dhe Greqisht dhe nënshkrimi i presidentit të Bankës Qendrore Evropiane.
12 yjet nga Flamuri Evropian gjithashtu paraqiten në secilën notë.
Dizajnet për banknotat euro u zgjodhën nga 44 propozime në një konkurs, të lëshuar nga Këshilli i Institutit Monetar Evropian (IME) më 12 Shkurt 1996.
Dizajni fitues, i krijuar nga Robert Kalina nga Oesterreichische Nationalbank, u zgjodh më 3 Dhjetor 1996.
Letra e përdorur për kartëmonedhat euro origjinale është 100% fije pambuku e pastër.
BQE-ja ka përshkruar disa nga karakteristikat themelore në kartëmonedhat e euros, por lista e këtyre karakteristikave është sekret i ruajtur mirë.
Mendohet se kartat e euros kanë së paku tridhjetë karakteristika sigurie të ndryshme që përfshijnë hologramet, (kanë një rrip holografik në anën e djathtë të pjesës së përparme ku është shtypur vlera e kartës); ngjyrat e ndryshueshme, numrin unik serik etj.
Por euro edhe për shkak të “moshës së re” ka qenë objekt i vazhdueshëm falsifikimi. Jo shumë kohë më parë u njoftua se një numër tepër i madh dhe i pazakontë kartëmonedhash 200 euro të falsifikuara po qarkullonin në Finlandë. Policia pohoi se falset janë të një cilësie shumë të lartë.
Eurot false janë shfaqur në Finlandën perendimore dhe qendrore dhe së fundmi në Ostrobothnia. Në Vaasa, njësia e Byrosë Kombëtare të hetimit (NBI), po heton në lidhje me dy të rinj ballkanas që janë kapur me 60 kartmonedha 200 euro të falsifikuara.
NBI thotë se falset futen në qarkullim përmes blerjeve të vogla, dmth falsifikuesit blejnë sende që kushtojnë pak dhe si fitim marrin kusurin e shumës. Kurse mënyra ideale e mashtrimit nëpërmjet eurove false janë “pagesat në dorë”, në kushtet kur marrësi nuk ka ndonjë mënyrë verifikimi.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here