Interi ka ngushtuar diferencën me Milanin në garën për fitimin e Seria A. Skuadra e drejtuar nga Leonardo ka shfrytëzuar humbjen e së shtunës së Milanit me Palermon, duke mposhtur 1-0 skuadrën e Leçes. “Shpëtimtari” këtë herë ka qenë sulmuesi Gianpaolo Pazzini, me golin e shënuar në minutën e 52-të.
Pas golit Interi ka “administruar” me kujdes lojën në përpjekje për të shmangur ndëshkimet e lojtarëve me kartona, pasi kjo do të çonte në penalizmin e tyre për ndeshjen e ardhshme derbi kundër Milanit.
Derbi, Milan-Inter do të luhet me 2 prill dhe në një kohë kur kanë mbetur edhe 8 javë për tu luajtur në Seria A, kjo ndeshje mund të jetë përcaktuese pasi Milani ka 62 pikë, ndërsa Interi 60. Përveç derbit, Interi ka përpara edhe ndeshjen për Ligën e Kampionëve kundër Shalke 04.