Shërbimi rus i anti-drogës ka njoftuar se ka arrestuar rreth 20 persona të akuzuar se kanë shitur një drogë të re sintetike shumë të rrezikshme, që nga 19 shtatori deri më sot ka vrarë të paktën 25 persona dhe ka helmuar 700 të tjerë, përfshirë shumë adoleshentë.
“Kemi ndalur përhapjen e kësaj droge për momentin”, ka deklaruar shkurt shefi i anti-drogës ruse, Viktor Ivanov.
Droga, ende pak e njohur, është e përbërë nga ekstrakte vegjetale dhe substanca të tjera psiko-aktive dhe ka mbërritur në Federatën Ruse nga Azia jug-lindore.
Zonat më të prekura deri më tani kanë qenë rajoni autonom siberian Khanti Mansis, rajoni i Kirovit dhe republika autonome ruse e Baskirias.
Në Rusi, ashtu si kudotjetër, po përhapen gjithnjë e më shumë të ashtuquajturat “spice”, droga sintetike e lehtë që tymoset, pak e kushtueshme, e lehtë për t’u gjetur dhe me efekte të menjëhershme por të paparashikueshme.
Në shtatë vitet e fundit, sekuestrimi i drogave sintetike në vend është rritur me 130 herë, nga 165 kilogramë në 22 tonelata. “Çdo vit në botë dalin 300 drogëra të reja, që në praktikë i bie thuajse një në çdo ditë”, ka thënë më tej Viktor Ivanov.
Ndërkohë, Moska duhet të vazhdojë edhe përballjen me drogërat tradicionale të rënda si heroina, që vjen nga Afganistani përmes rrugëve të Azisë qendrore. Në ditët e fundit, shërbimi rus i anti-drogës ka sekuestruar 53 kilogramë në zonën jug-lindore të kryeqytetit.
“Çdo vit trafikohen deri në 30 tonelata heroinë me koncentrat të lartë, që i bie rreth 100 milionë doza”, ka saktësuar zyrtari rus, për të shtuar se pasojat janë shkatërruese: “Rreth 100 të vdekur në vit nga narkotikët”.