Home Politike Rrëzohet edhe Muçmata:PD “shuplakë” për herë të dytë Presidentit Topi

Rrëzohet edhe Muçmata:PD “shuplakë” për herë të dytë Presidentit Topi

1459
0

Mazhoranca parlamentare i jep një tjetër “shuplakë” Presidentit të Republikës duke rrëzuar në Komisionin e Ligjeve kandidatin për anëtar të Gjykatës, Vexhi Muçmata. Kandidatura e prokurorit Vexhi Muçmata nuk mori besimin e Komisionit të Ligjeve për disa arsye, që nisin me të kaluarën e tij, si hetues për 14 vjet gjatë regjimit komunist, kohë në të cilën, sipas Partisë Demokratike, Muçmataj ka qenë hetues në vepra penale të karakterit politik. Komisioni i Ligjeve e konsideroi kandidaturën e prokurorit Muçmataj me integritet të cenuar moral, edhe sepse në CV-në e tij nuk ishte përfshirë arsimi i lartë në shkollën e sigurimit gjatë diktaturës, gjë që sipas relatorit Viktor Gumi, u bë publike pas kërkesës së Komisionit të Ligjeve dhe informacionit të dhënë nga Prokurorja e Përgjithshme. Një javë më parë, mazhoranca rrëzoi një tjetër kandidat për në Gjykatën e Lartë, siç ishte Sokol Çomo.
Rrëzimi i Muçmatës për në Gjykatën e Lartë
Votën kundër të maxhorancës në seancë plenare do ta ketë dhe Vexhi Muçmata, kandidati i 3 i Presidentit për në Gjykatën e Lartë. Në relacionin e Komisionit të Ligjeve, pas dëgjesës së një jave më parë, Muçmata vlerësohet si i pabesueshëm dhe ish-punonjës i strukturave represive të regjimit. “Në CV-në e kandidatit, të ardhur me dekretin e Presidentit të Republikës, është fshehur një anë e rëndësishme e edukimit të tij të lartë, posaçërisht përfundimi i shkollës së lartë së Ministrisë së Brendshme. Fshehja e CV-së së plotë para Komisionit dhe Kuvendit përbën një handikap të papranueshëm. Në kushtet kur Kuvendi ka bërë publik qëndrimin jotolerues ndaj individëve që kanë shërbyer si vegla të ndëshkimit politik në regjimin komunist, kjo gjë cenon drejtpërdrejt kriterin e integritetit moral të kandidaturës”, u shpreh Gumi. Komisioni i Ligjeve ka vlerësuar se gjatë përgjigjeve të tij, kandidati për në Gjykatën e Lartë, Vexhi Muçmataj, nuk paraqiti ndonjë kontribut konkret në sistemin e drejtësisë, gjë që cungon, sipas demokratëve edhe integritetin profesional. Komisioni i Ligjeve shprehu pakënaqësi edhe për atë që e quajti mungesë transparence dhe sinqeriteti të kandidatit në shpjegimin e dhënë për pasuritë e tij në shuma të konsiderueshme. “Kriteri moral i vlerësimit të një kandidature në Kuvend kërkon që kandidati të dëshmojë transparencë financiare, madje, sipas standardit ndërkombëtar, të paqortueshme. Nga pyetja që iu bë kandidatit dhe përgjigja që u dha në Komision, gjatë seancës dëgjimore, konstatohet se kandidaturës i mungon respektimi i këtij detyrimi. Besimi tek ky kandidat në integritetin moral dhe profesional vlerësoj se është i mangët dhe ai nuk përbën kandidaturën e përshtatshme për të dhënë pëlqimin e komisionit dhe me pas të Kuvendit për detyrën madhore të Gjykatësit të Lartë”, tha Gumi.
Ndarja PD-LSI
Por deputetët e mazhorancës në Komisionin e Ligjeve, si në rastin e Sokol Çomos, ashtu edhe në atë të kandidatit Vexhi Muçmataj, nuk ndajnë të njëjtin qëndrim. Deputeti i LSI-së, Nasip Naço, ish koleg me Muçmataj, deklaroi votën e tij pro, por pa qartësuar, nëse ky do të jetë edhe qëndrimi i gjithë grupit të LSI-së. “Do të votoj edhe për Muçmataj, sepse janë kandidatura që i njoh personalisht në këto 20 vjet. Kam qenë përballë tyre si prokuror, kam qenë përballë tyre si avokat. Jam edhe sot si politikan përballë tyre dhe vota ime është një votë e sinqertë, sepse i njoh nga afër dhe nuk marr urdhër nga askush. Vota ime do të jetë pro edhe kandidaturës së Vexhi Mucmataj”, tha Naço. Debati në Komisionin e Ligjeve për kandidatin Vexhi Muçmataj, u bojkotua nga deputetët e Partisë Socialiste, të cilët, kanë paralajmëruar kështu se nuk do të jenë të pranishëm as në procesin e votimit në Parlament.

Viktor Gumi
“Në CV-në e kandidatit, të ardhur me dekretin e Presidentit të Republikës, është fshehur një anë e rëndësishme e edukimit të tij të lartë, posaçërisht përfundimi i shkollës së lartë së Ministrisë së Brendshme. Fshehja e CV-së së plotë para Komisionit dhe Kuvendit përbën një handikap të papranueshëm”.

Nasip Naço
“Do të votoj edhe për Muçmataj, sepse janë kandidatura që i njoh personalisht në këto 20 vjet. Kam qenë përballë tyre si prokuror, kam qenë përballë tyre si avokat. Jam edhe sot si politikan përballë tyre dhe vota ime është një votë e sinqertë, sepse i njoh nga afër dhe nuk marr urdhër nga askush. Vota ime do të jetë pro edhe kandidaturës së Vexhi Mucmataj”.
PS: Topalli pasurohet me paratë e shqiptarëve

Selia rozë ka akuzuar dje Kryeparlamentaren, Jozefina Topalli, se po abuzon me fondet e shtetit duke u pasuruar çdo ditë me pasuritë publike. Nëpërmjet deputetes Shega Ligori opozita ka ngritur shqetësimin e shpërdorimit të lekëve të taksapaguesve shqiptarë. Deputetja e PS-së, Shegushe Ligori, deklaroi se Kryeparlamentarja Topalli, merr sot për sot rrogën më të lartë shtetërore në vend. Sipas Ligorit, ndërsa vitin e shkuar bizneset dhe qytetarët shqiptarë, hynë një krizë të ndjeshme financiare, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, përfitoi nga financat publike jo pak, por plot 33 milionë lekë. Duke e akuzuar për përfitim në kurriz të shqiptarëve, deputetja e PS-së, theksoi se “pasurimi i zonjës Topalli jo vetëm që është një shuplakë për të gjitha vështirësitë e qytetarëve të thjeshtë, por mënyra në të cilën ajo i përfiton këto fonde të taksapaguesve, është plotësisht abuzive ndaj procedurave të shtetit dhe çdo rregulli moral. Selia rozë nënvizoi se Topalli përfiton dieta nga Kuvendi i Republikës, të barasvlershme me 11 milionë e 178 mijë lekë ose 11 milionë e dy pensione.
Kuvendi: Topalli është e hapur për kontroll

Përmes një deklarate, Administrata e Kuvendit sqaron se “është e hapur t’i japë Shegushe Ligorit dhe kujtdo tjetër shpjegime për çdo qindarkë të shpenzuar nga ky institucion”. Më tej Administrata e Kuvendit shpjegon se “nuk çuditet që znj. Ligori ende nuk e di se Kryetari i Kuvendit nuk firmos për asnjë lek, por firmos vetëm ligje, rezoluta, vendime e marrëveshje të miratuara nga seanca plenare”. Ajo saktësoi edhe praktikën e njohur se “Kryetari i Kuvendit paguhet sipas ligjit ashtu si çdo paraardhës i saj, në këtë post”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here