Ashtu si Interi, edhe Roma e mbyll fazën e parë të kampionatit me një barazim, 1-1 në “Renco Barbera” kundër Palermos, me sicilianët, të cilët i ofrojnë një “asist” Juventusit për të zgjeruar diferencën në krye nga 3 në 5 pikë. Skuadra e Rudi Garsias më shumë sesa vuan kundërshtarin vetëvritet që në minutën e dytë, kur Astori gabon një kthim topi mbrapa, me Vazkuesin, i cili rrëmben sferën dhe pason saktë për Dibalan në zonë, i cili nuk fal. Mjafton disavantazhi për të frikë- suar verdhekuqtë, ndërsa sicilianët bëjnë lojën dhe i afrohen më së shumti edhe golit të dytë, madje shpërdorojnë aq shumë, sa do i kishin dhënë mundësinë vetes që të arkëtonin tri pikët brenda fraksionit të parë të lojës. Por, në pjesën e dytë, gabimet e shumta përpara portës rivale, Palermo do i vuajë mbi shpatulla, me Destron, i cili e rihap shumë shpejt ndeshjen. Në minutën e nëntë, një skemë e Romës nga goditje dënimi sheh Pjaniçin që të dërgojë sferën në zonë për kokën e Strotmanit, i cili e shndërron trajektoren në një asist për Destron, i cili devijon aq sa duhet për të vendosur barazimin. Sulmuesi i shumëpërfolur mbi një largim të mundshëm feston me tone polemike, por edhe pse me shumë minuta lojë në dispozicion, Roma nuk tregon atë kthjelltësinë në arkitektimin e aksionit fitues, madje në dy raste rrezikon të pësojë edhe disavantazhin e radhës, ndonëse në fund shifrat do të mbeten të palëvizura nga 1-1. Një rezultat i tillë nuk u pëlqen Palermo konfirmohet skuadra surprizë e këtij sezoni të Serisë A, e cila dje ka pasur nga ana e saj jo vetëm tifozët sicilianë, por edhe të gjithë ata juventinë, të cilët presin të festojnë dyfish sot, nëse fitojnë në “Juventus Stadium” përballë Hellas Veronës.