Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave ka vendosur fillimin e procedurave të kontrollit të plotë, rikontrollit të plotë dhe hetimit administrativ të të gjithë deklaratave të interesave private që nga viti 2003 për funksionarët e lartë të shtetit.
Në bazë të këtij vendimi do të rikontrollohen deklaratat e pasurisë që prej vitit 2003 për Presidentin e Republikës, Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin, Zëvendëskryeministrin, Ministrat dhe zëvendësministrat; anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Anëtarët e Gjykatës së Lartë, Kryetarin e KLSH-së, Prokurorin e Përgjithshëm, Avokatin e Popullit, Kryetarin dhe Anëtarët KQZ-së, Zëvendëskryetari dhe Anëtarët e KLD-së, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.
Gjithashtu do të rikontrollohen deklaratat e Kryetarëve të Bashkive, Drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Drejtorit të Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtorit të Përgjithshëm i Burgjeve, Drejtorit të Përgjithshëm i Zyrës Qëndrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme; Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, si dhe Gjyqtarët dhe prokurorët e të gjitha niveleve.
Sipas ILDKPKI-së, rezultatet e kontrollit do të përfundojnë dhe do të bëhen publike rast pas rasti deri më datë 31.12.2014.
Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, ILDKPKI sqaron se ky vendim është marrë duke u “nisur nga situata tepër e rëndë në të cilën u gjend zyra e administrimit të dosjeve të kontrollit të plotë të deklaratave të interesave private të zyrtarëve dhe dyshimeve për zhdukjen e dosjeve të kontrollit të plotë të zyrtarëve të ndryshëm; nisur nga fakti i konstatimit të zhdukjes së regjistrit disa vjeçar të denoncimit të rasteve të korrupsionit dhe interesave private të fshehura ose të padeklaruara të zyrtarëve, raste këto të denoncuara nga ana e qytetarëve, medias dhe shoqërisë civile; nisur nga fakti i bllokimit qëllimisht, për shumë vite të adresës elektronike unedenoncoj@hidaa.gov.al dhe numrit pa pagesë 08009999; nisur nga fakti që, prej vitit 2006 nuk është kontrolluar asnjë zyrtar i lartë nëse ka përfituar nga fondet publike apo jo, sipas ndalimeve të përcaktuara në nenin 21 të Ligjit nr.9367, datë 07.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar; nisur nga konstatimi se gjatë këtyre viteve është shkelur tepër rëndë detyrimi ligjor i nenit 25 të Ligjit nr.9049, datë 10.04.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar, për skemën e kontrollit, duke lënë jashtë skemës së kontrollit të plotë, qëllimisht, zyrtarë të niveleve të ndryshme; në referim të plotë të raporteve ndërkombëtare dhe të rekomandimeve të tyre lidhur me gjendjen e korrupsionit në vendin tonë, kulturën e pandëshkueshmerisë, prioriteteve të vendosura nga Bashkimi Europian, si dhe bazuar në nenin 25/1, pika 4 të Ligjit nr.9049, datë 10.04.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar”.
Gjithashtu ILDKPKI bën të ditur se ka nisur punën për hartimin e regjistrit elektronik për konfliktin e interesave. “ Regjistri duhej të ishte hartuar që në vitin 2006, me qëllim që për herë të parë të fillojë verifikimi nëse zyrtari, bashkëshortja, prindërit e zyrtarit, prindërit e bashkëshortes, fëmijët në moshë madhore, kanë lidhur apo jo kontrata me institucionet shtetërore dhe kanë përfituar nga fondet publike në kundërshtim me ndalimet e përcaktuara në nenin 21 të Ligjit nr.9367, datë 07.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”- thuhet në deklaratë.