Skuadra e Peskarës po kalon një moment aspak pozitiv në kampionatin italian të Serisë A, teksa pas 14 javësh numëron vetëm 7 pikë të grumbulluara, duke u renditur në vendin e 18, një pozicion që të rrëzon në Serinë B.
Kjo performancë mjaft e dobët ka bërë që ekipi i drejtuar nga Masimo Odo të vendoset në kërkim të futbollistëve cilësorë për t’u afruar në janar. Sipas raportimeve nga mediat italiane, Peskara ka vendosur në shënjestër dy futbollistë, Adel Tarabt i Benfikës, marokeni që më parë është aktivizuar dhe me Milanin, si dhe Alesandro Rosina i Salernitanës.
Në rast të realizimit të këtyre transferimeve, të parët që janë në listë për t’u larguar janë 2 futbollistët e ardhur në huazim, Rei Manaj dhe Zhan-Kristof Bahebek. Mediat italine shkruajnë se sulmuesi shqiptar, i ardhur në huazim nga Interi, nuk e ka bindur trajnerin Odo, madje së fundmi ka shfaqur dhe probleme disiplinore, të cilat e lanë jashtë grumbullimit në ndeshjen e fundit në kampionat përballë Romës. Ndërkohë Bahebek i huazuar nga PSG mund të largohet për shkak të dëmtimeve të shpeshta.