Sipas vlerësimit të Bankës Botërore, nga viti 2014 deri në qershor të vitit 2015 klima e të bërit biznes në Shqipëri ka shënuar përkeqësim drastik. Banka Botërore publikoi dje raportin vjetor për lehtësinë e të bërit biznes, që vlerëson faktorët që lehtësojnë ose pengojnë biznesin në 189 vende të botës. Ajo që bie në sy është se Shqipëria ka humbur 35 vende krahasuar me raportin e mëparshëm, duke zbritur nga vendi 62, në të 97-tin për këtë vit. Sipas vlerësimit të Bankës Botërore, Shqipëria ka shënuar hapa prapa në aspektin e lejeve të ndërtimit, duke e bërë më të vështirë procesin për shkak të pezullimit në dhënien e këtyre lejeve.
Raporti
Pesë treguesit kryesorë që ndikuan në vlerësimet e raportit të të bërit biznes, janë Lejet e Ndërtimit, Furnizimi me Energji, Zbatimi i Kontratave, Regjistrimi i Pronave dhe Tregëtia Ndërkufitare. Raporti i këtij viti finalizon një punë dy vjeçare për të zgjeruar kriteret që përdoren për matjen e cilësisë së rregullave, si dhe efektshmërinë e kornizës ligjore të të bërit biznes, në mënyrë që të bëhet një vlerësim më i saktë i realitetit në terren.
Shqipëria ka marrë vlerësime pozitive në forcimin e mbrojtjes së investimeve të pakicave, duke paraqitur kërkesa ligjore për publikimin e menjëhershëm të transaksioneve. Vendi ynë, sipas raportit të Bankës Botërore ka lehtësuar gjithashtu eksportin ndërkufitar duke zbatuar një sistem elektronik inspektimi që ka shkrtuar kohën e procedurave që kryhen në kufi.
Rajoni
Kosova rendiet e 66 mes 189 vendeve dhe përparimin më të madh e ka arritur me lehtësimin e pagimit të taksave për kompanitë duke eliminuar tarifën vjetore për liçensën e biznesit. Për rajonin e Euro-Azisë, renditjen më të lartë e ka Maqedonia, duke zënë vendin e 12. Sipas Bankës Botërore, Maqedonia merrë pikë shumë të larta në disa fusha për lehtësinë e të bërit biznes. Gjatë vitit të kaluar, për shembull, Maqedonia e lehtësoi më tej procesin duke kërkuar regjistrimin të detyruar online. Si rezultat, Maqedonia rendiet e dyta në botë në kategorinë e hapjes së një biznesi.
Ekonomia
Ndërkohë, në raportin që merr në shqyrtim ekonomitë në Bashkimin Europian dhe Ballkanin Perëndimor, Banka Botërore thekson se rritja e ekonomisë shqiptare u përshpejtua në vitin 2015 dhe pritet të vazhdojë trajektoren pozitive edhe gjatë tri viteve të ardhshme, megjithëse nën kapacitetet që ka. Uljen e pritshmërive të rritjes ekonomike në 2.7 përqind nga 3 përqind që ishte parashikimi fillestar, BB e lidh me përmbytjet që goditën jugun e vendit duke dëmtuar produktet bujqësore, si dhe me tkurrjen e prodhimit të naftës, i shkaktuar nga rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
BB pret që rritja ekonomike të jetë me 3.4 përqind për 2016 dhe 3.5 në 2017-ën, megjithëse kjo rritje do të varet nga zbatimi i reformës strukturore në energji, menaxhimin financiar të shpenzimeve publike dhe pensionet. Nga ana tjetër Banka Botërore thekson se kriza greke mund të kenë ndikime edhe më të rënda nga ajo që parashikohej për ekonominë shqiptare. “Zhvillimet në Greqi mund të kenë ndikime më të mëdha nga sa pritej mbi rritjen ekonomike të Shqipërisë dhe ndaj perspektivës së uljes së varfërisë, duke patur ulje të remitancave, eksporteve dhe investimeve.