Home Politike Rama shpreh mirenjohjen per forcat Renea

Rama shpreh mirenjohjen per forcat Renea

822
0

rama-reneaKryeministri Edi Rama shprehu mirënjohje për forcat speciale RENEA për përmbylljen me sukses të operacionit për kapjen e të arratisurve nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë. I pranishëm në një ceremoni falënderimi në komandën e forcave RENEA, kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe kreu i policisë Artan Didi, siguroi forcat speciale se qeveria do tu qëndrojë përkrah në çdo operacion.

“Eshtë realisht e vështirë që të gjesh aq fjalë sa duhen për t’ju shprehur sot gjithë nderimin dhe falënderimin për atë që ju bëtë në vetëm pak ditë, pas një lajmi tronditës që shqetësoi të gjithë shoqërinë. Asnjë fjalë dhe as të gjitha fjalët nuk mund dot të përshkruajnë qoftë shkallën e jashtëzakonshme të vështirësisë, me të cilën ju përballeni për këtë vepër të shkëlqyer që ju vutë në jetë. E ndjeva për detyrë që në emër të të gjithë qytetarëve t’ju përulem me mirënjohje, duke shprehur dhe përkushtimin tonë më të madh që ju dita ditës të ndjeni të gjithë rëndësinë që ka për ne ajo që ju bëni çdo ditë.”- deklaroi kryeministri.

Më tej kryeministri garantoi forcat RENEA se qeveria do të bëjë gjithçka për të përmirësuar kushtet e tyre financiare sa më shpejt të jetë e mundur.
“Ju siguroj se do të bëjmë gjithçka për të përmirësuar kushtet tuaja vetjake dhe të familjes, të stërvitjes dhe punës tuaj. Që nga dita e parë në këtë detyrë, kemi plotësuar dhe do të plotësojmë deri në ditën e fundit, një kusht themelor, nuk do t’ju tradhtojmë kurrë, nuk do t’ua lëmë kurrë shpinën të pambrojtur. Nuk do të lejojmë që tradhtia që në të kaluarën e ka bërë policinë e shtetit humbëse karshi të keqes dhe krimineleve që përballë jush nuk kanë pasur avantazhin forcës, zgjuarsisë, por fatkeqësisht kanë pasur në momente kulmore avantazhin të qenit të mbuluar politikisht përballë jush, që në ndeshje me ta keni qenë të zbuluar politikisht.”- u shpreh Rama.

Duke përkujtuar të rënët në luftën nacionalçlirimtare, kryeministri tha se “sot është
dita për të thënë lavdi të rënëve në luftën nacional çlirimtare, por edhe lavdi përjetë atyre që sakrifikuan jetën e tyre për të mbrojtur këtë skuadër që është skuadra me e rëndësishme dhe që për ne do të jetë një skuadër që do ta duam dhe do ta mbështesim me gjithë forcën e zemrës dhe mendjes.”

TAHIRI: TË GJITHË NDIHEMI KRENARË ME JU
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri në fjalën e tij, falenderoi forcat speciale RENEA por edhe të gjithë punonjësit e policisë për gjithçka bënë këto ditë, për kapjen e 7 të arratisurve nga burgu i Drenovës.

Ministri Tahiri u shpreh se: “Nuk kam fjalë t’ju falënderoj mjaftueshëm, për gjithçka keni bërë, edhe pse i di fare mirë kushtet tuaja, falënderimi më i madh është mirënjohja për gjithçka që keni bërë deri më sot, dhe jam i sigurt se sot të gjithë ne ndihemi krenarë me secilin prej jush, do bëjë gjithçka për tju ndjerë më pranë jush”.

OPERACIONI PER ARRESTIMIN E TE ARRATISURVE
Ka marrë fund të enjten arratia e shtatë të dënuarve në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë. Pas pesë ditësh kërkime intensive në kufirin shqiptaro-grek, policia greke ka arrestuar dje edhe dy të arratisurit e fundit: Eduard Lulon dhe Reis Haxhirajn. Mësohet se Lulo u arrestua në orët e para të mëngjesit në të njëjtën zonë ku u kap mbrëmjen e së mërkurës, Gëzim Toma.

Policia greke e ndihmuar edhe nga ajo shqiptare ka përmbyllur me sukses një nga operacionet më të vështira, sa ia takon arratisjes se bujshme të 23 nëntorit në burgun e Drenovës në Korçë. Pas arrestimit të të arrestuarit të fundit, ka reaguar menjëherë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili përgëzoi Policinë e Shtetit për këtë aksion, e duke e quajtur ditën e djeshme si një ditë të shkëlqyer për drejtësinë.

Admir Tafili, Fran Pal Marashi, Gëzim Gjergj Guri, Gëzim Ndue Toma, Reiz Namik Haxhiraj, Eduard Kujtim Lula dhe Artur Demir Gora nën kërcënimin e armëve çarmatosën gardianët, qëlluan me breshëri kallashnikovi për mos afrimin e rojeve dhe më pas ikën nga Burgu i Drenovës, mbrëmjen e së shtunës.

Tre të arratisurit, Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gezim Guri, janë arrestuar rreth orës 13:00 të së dielës në një magazinë në periferi të Prrenjasit. Pas sinjalizimit të banorëve të zonës, të cilët kishin dëgjuar të shtëna me armë në brendësi të magazinës, policia dhe forcat RENEA rrethuan zonën, duke bërë të mundur arrestimin e tyre.

I dënuari Artur Gora u arrestua pak orë pas arratisjes në Korçë, teksa udhëtonte me një taksi drejt fshatit Pojan, ku banon familja e tij. Gora deklaroi se nuk kishte qenë pjesë e planit të arratisjes, por kishte përfituar për të dalë nga burgu për të vizituar nënën e tij të sëmurë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here