“Jeni prekur nga Arroganca me njëri-tjetrin dhe me njerëzit… ose mbyteni turkun brenda jush, ose përgatituni për të lënë anijen”. Faqja online Newsbombe, ka mundur të sigurojë një e-mail që kryeministri Edi Rama u ka nisur në mars të këtij viti të gjithë ministrave të kabinetit të tij, duke i shkruar rëndë për fenomenin e Arrogancës që i ka prekur në lidhje me njëri-tjetrin, deputetët dhe njerëzit.
Në e-mail, të cilin po e zbardhim të plotë më poshtë, duket një dëshpërim i Kryeministrit, në “sëmundjen” që ka prekur kabinetin e tij: Arroganca që u lind nga pushteti e që është vënë re dhe nga ndërkombëtarët që tallen me ta.
E lexojme te plote letren e kryeministrit Rama:
Qysh në fillim të kësaj aventure të përbashkët dhe në vijim ju kam folur sa ka mundur, mbase jo aq shpash sa kam dashur për rrezikun numër 1 që kërcënon ecurinë e punës tonë: ARROGANCËN! Dhe jam munduar, jo aq sa ka qenë e mjaftueshme t’ju sensibilizoj për faktin se e kundërta e arrogancës, modestia në sjellje dhe sforcoja për të qenë të begenisur me këdo, duke filluar nga marrëdhëniet me njëri-tjetrin, pastaj me deputetët e më tutje, jo për nga rëndësia, me njeërzit e çdo kategorie është arma e pazëvendësueshme në luftën e jashtëzakonshme me vështirësitë e këtij vendi dhe me mërzinë, stresin e njerëzve…
Konstatoj me shqetësim, një shqetësim që ndjej që po kthehet në hidhërim, se po marrim pak nga pak, por në mënyrë të pandalshme pamjen e një pushteti arrogant në sjellje me Tjetrin; e një pushteti njerëzish që po i dorëzohen lehtësisë së reagimit të vështirësive duke e shprehur këtë dorëzim në formën e vet primare që është ARROGANCA, mosvemendja, nervozizmi dhe rrjedhja e lirë e mërrëdhënieve me Tjetrin e një pushteti që po merr fatalisht trajtën turkoshake në sjelljen e njerëzve të vet me përfaqësuses që jeni ju, secili ju!
Arrogantë me njëri-tjetrin, në të gjitha format e shprehjes së këtij tipari gërryes për pushtetin. Arrogantë me deputetët që janë kush janë dhe si janë, janë baza e pazëvendësueshme për të ngritur punën tonë të përditshme dhe për të realizuar objektivat afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata!
Arrogantë me mllefin, përmbledhur në këtë koncept të gjithë pa përjashtim e pa ndryshim kategorish…
Reflektimi i kësaj arrogance ndjehet në raportin me detyrën fatkeqësisht, detyrë që nuk bëhet me pasionin e me këmbënguljen e orëve të para, po gjithnjë e më shumë me rehatllëkun e orëve të pasdites turke, një lloj zhegu ku kanë filluar të dëgjohen gërhitje të rehatshme nën zhurmën e mizave.
Ndjehet reflektimi i kësaj arrogance në raportin gjithnjë e më turkoshak me kohën, ku stresi i pagjumësisë së fillimit i’a ka lënë vendin limontia raskapitëse e lodhjes prej kotësive, drekave, darkave, muhabeteve, dhe ruajna zot, vëmendjes së shtuar për interesat e vogla.
Por më e keqja e të këqijave, kjo arrogancë merr trajta të turpshme nën ju, përgjatë linjave të piramidës ku shkon duke u zgjeruar baza e sundimit otoman të arrogancës së pushtetit të vogël të njerëzve të vegjël mbi të tjerët pa dallim.
A ju ka munduar ndonjëherë pyetja se ç’bëhet me zyrat e tjera të ministrive ku hyni dhe takoni po ata tre-katër vetë të cilët janë jashtë prezencës tuaj jo lidershipi po gjeneratori më i fuqishëm i arrogancës së pushtetit të vogël të njerëzve të vegjël mbi të tjerët pa dallim.
Po pyetja se ç’bëhet më tej jashtë barkut të pallatit të pushtetit tuaj, ku horrllëku në sjellje dhe gërryerja e gjithandejme e pushtetit tonë vijon përditë, çdo orë, në çdo raport pune dhe mbi çdo punë për t’u bërë e për t’u raportuar?
Kë pyesni ju, nëse pyesni, për mënyrën se si ju shohin të tjerët dhe si dukeni në kryerjen e detyrës suaj? Pyesni ata që ju gjenden rrotull sa nga meraku i paditur i të afërmve të përhershëm e sa nga interesi i strukturuar në skuthllëkun e afrimitetit konjuktural dhe me të cilën merrni nëpër gojë të tjerët, duke filluar nga njëri-tjetri, duke dhënë mendime të lira e të habitshme në peshën e tyre negative që pastaj marrin dhenë nëpër Shqipëri? Apo pyesni ata që punojnë me ju të cilët janë më të parët që ju bëjnë copë dhe shpesh me të drejtë, kur u qëllon të flasin për mënyrën e drejtimit tuaj në rrethe të ndryshme?
E pra, mësojeni përpara se sa të bëhet vonë sepse së shpejti do jetë vonë, që unë nuk bashkëjetoj dot me këtë situatë dhe nuk i honeps dot më reflekset e sjelljeve tuaja mbi njerëzit, që nga shqiptarët e deri tek ndërkombëtarët që kanë nisur të bëjnë humor me ARROGANCËN tuaj! Dhe nuk honeps dot më që as porositë e mia në këtë drejtim të merren si pjesë e mërzitshme e të qënit në një klasë ku fjalët e zyshës i merr era!…
Me siguri që secili apo secila prej jush thotë me vete tani po me mua ç’ka ky që më ka futur në letërmarrësit e këtij mesazhi(?), por përpara se sa të gjeni veten në këto radhë mundohuni të gjeni thelbin e këtij shqetësimi shumë serioz që afekton imazhin, sjelljen dhe performancën e skuadrës sonë. Sepse unë nuk shoh asnjërin prej jush si një individ e aq, po secilin prej jush si një lojtar të një skuadre që e kam zgjedhur për të ndryshuar Shqipërinë duke filluar nga ndryshimi i kulturës së drejtimit, i sjelljes në drejtim, i seriozitetit për gjërat e “vogla” që në fakt janë gurët e themelit për të bërë të mëdhatë!
Nuk pres përgjigje, por reflektim të thellë përmes tyre një ndryshim radikal të sjelljes dhe një pastrim të samëshpejtshëm të pasqyrës ku po deformohet dita-ditës profili i qeverisë sonë si rezultat i rënies në batakun e vetëmjaftueshmërisë idiote që i mbyt qeveritë nga brenda; nga brenda zemrës së çdo ministri; nga brenda trupit të çdo pjestari të ekuipazhit drejtimiduhur; nga brenda kabinave të institucioneve që vuajnë peshën e ujit të futur në zemër e në tru për së pari!
Merreni këtë mesazh si një S.O.S jo si një dosje të durimit tim prej ndonjë a disa arsyeve të pathëna më lart sepse të tilla ju siguroj që nuk ka.
Kjo qeveri ka vetëm një armik dhe ky armik është turku që jeton brenda secilit prej jush, o mbyteni o përgatituni për të lënë anijen!