Kryeministri Rama tha se ekstremistëve europianë, që i cilësoi “idiotë”, forcat e moderuara duhet t’u qëndrojnë ballë përballë. I ftuar në emisionin “Top Story” me gazetarin Sokol Balla, kreu i qeverisë tha se sukses raporti i KE-së është baza për statusin e vendit kandidat. Rama akuzoi qeverinë e kaluar se ka prova për trafik droge nga ajri, të dhëna që janë nxjerrë nga komisioni hetimor që drejton deputetja Ermonela Felaj…
Akuzat e opozitës i krahasuat me mushkonjat…
Unë kam reaguar ndaj një idiotësie se, në Divjakë çdo natë në orën 8 ngriheshin avionët. Dhe unë thashë se, mbase janë mushkonjat që duken si avionët. Kjo ka qenë ajo që unë kam thënë dhe i qëndroj akoma.
Po pas ngjarjes që ka ndodhur në Divjakë, mendoni se është mushkonjë apo avion?
Ne i kemi qëndruar besnik zotimit që është ende në lojë. Ne nuk kemi ardhur në qeveri për të përsëritur gabimet e paraardhësve tanë. Kur ne kemi thënë se nuk zotërojmë asnjë provë e fakt të pohuar për këtë formë të trafikut të drogës, kemi qenë tërësisht korrektë dhe besnikë ndaj zotimit tonë.Të njëjtën gjë ka konfirmuar edhe SHISH me një deklaratë publike.
Por pas kësaj deklarate ndodhi ngjarja…
Po, por ky është një problem nga i cili ne nuk duhet të habitemi dhe të themi se ky është fundi i botës, pasi kjo formë e trafikut, për të cilin nuk kemi pasur asnjë provë, ndodh në mënyrë të vazhdueshme edhe në vendet e BE-së. Mesa duket e kanë bërë vetë ata kur ishin në pushtet, ditët në vijim do ta bëjmë publike këtë gjë, sepse kjo është zbuluar nga komisioni hetimor që drejtohet nga një deputete me eksperiencë si prokurore në drejtësi, zonja Felaj. Bëhet fjalë për një formë trafikimi me të cilën vendet e tjera të BE-së janë familjare dhe e dinë që ndodh dhe ku ndodh. Kjo është një luftë që nuk mbyllet, por që luftohet vazhdimisht. Janë struktura globale kriminale që bashkëpunojnë mes tyre.
Ka struktura shtetërore të përfshira në të?
Jam njohur me raportin e komisionit, që është i pari komision hetimor serioz që ka funksionuar dhe që do të japë prova konkrete se si kjo ka ndodhur më parë.
Që ka ndodhur para se të vinit ju në pushtet?
Po, ka ndodhur para shtatorit. Dua të sqaroj dhe diçka lidhur me një spekulim që është bërë lidhur me ministren e Mbrojtjes për një informacion të klasifikuar. Është një informacion që kudo në botë që nuk mund të ndahet dot me publikun dhe ka të bëjë me sigurinë e që nuk mund të përdoret nga media. Ky informacion i klasifikuar u përdor kundër ministres së Mbrojtjes. Unë kam qenë në dijeni të informacionit të klasifikuar kur kam folur për mushkonjat. Ky informacion flet për dyshime të paprovuara dhe këto dyshime nuk janë prova. Edhe ministri i Brendshëm ka qenë në dijeni të këtij informacioni dhe bashkë me strukturat përkatëse ka qenë në trajtim të këtij informacioni dhe gjithë struktura e shtetit ka qenë në alarm ndaj këtyre dyshimeve. Nuk kemi konstatuar në asnjë rast se këto dyshime shoqëroheshin me prova. Pavarësisht se si ndodhi me avionin, strukturat përkatëse kanë qenë në alarm, të vendosura në atë zonë në pritje për të vërtetuar dyshimet e këtij informacioni.
Në hetimin e zonjës Felaj, rezulton se kanë qenë të përfshira dhe struktura policore dhe ushtarake në këtë trafik, sepse s’ka si shpjegohet reagimi i FA që betonuan pistat e avionëve në Gjadër dhe zona të tjera?
Nuk dua të jap detaje, por informacioni që unë kam marrë nga komisioni hetimor personalisht më ka tronditur për faktin se provat, të cilat unë nuk kam dashur t’i besoj se në Shqipëri mund të kishte trafiqe të tilla, tregonin se kishte një veprimtari të tillë më parë. Kjo ka ndodhur në periudhën kur qeverisnin këta zotërinj, që sot me zell të madh bëjnë denoncimet.
Po akuzoni ata që kanë qenë më parë në pushtet?
Disponojmë prova të pakontestueshme se kjo ka ndodhur më parë. Mbledhja e forcave të policisë rreth plazhit të Divjakës ishte para se të rrëzohej avioni dhe planifikohej të kapej pjesa në tokë, jo avioni.
Nuk mund t’i takonit dhe t’i dëgjonit grevistët?
Do të isha i pari njeri që do kisha shkuar dhe do kisha takuar grevistët e urisë që paraqesin një platformë, një numër kërkesash apo mbështesin një kauzë. Por, si mund ta ndërtojmë dialogun me njerëz që janë aty për faktin se janë hequr nga puna dhe duan të kthehen në punë. Një pjesë kanë humbur në gjykatë, një pjesë janë ende në gjykatë, ndërkohë që në Shqipëri ka me mijëra që nga 2005 janë hequr nga puna dhe janë me vendime gjykate në dorë. Ku është parë që të kthehesh në punë me grevë urie?! I bie që të gjithë të papunët të hyjnë në grevë urie.
Po me të përndjekurit politikë?
Më vjen keq, por kur drejtuesi i grevës si i përndjekur pa bërë asnjë ditë burg ka marrë gjatë kësaj periudhe që është përfshirë në këtë punë treçerekun e asaj godinës ku janë të përndjekurit dhe e ka kthyer në pronë të veten… Me këtë të dialogojmë ne? Ai drejtues duhet të largohet nga greva, të hapë rrugën dhe të flasim me ata që janë realisht të përndjekur. Kjo qeveri ka nëntë muaj dhe ka arritur të japë për 1 mijë të përndjekur këstin e parë që u takon.
Ministri Bushati ka çuar në prokurori negociatorët e marrëveshjes së detit me Greqinë, me gjasë edhe Lulzim Bashën. Pse pikërisht tani, sepse duket si kundërsulm?
Çfarë kundërsulmi?! Unë e di shumë mirë çfarë shqiptarët sot po jetojnë negativisht në raport me ne, sepse ende nuk ka para drejtësisë përgjegjës të peshës së rëndë.
Jo vetëm kaq, por në 2008 akuzonit Fazlliçin dhe në dhjetor i dhatë interkonjeksionin…
Kjo është gënjeshtër dhe unë e refuzoj gënjeshtrën. Sa i përket ndëshkimit, vazhdoj të shpresoj që prokuroria do vihet në lëvizje, shpresoj se do të çojë përpara një sërë çështjesh shumë të rënda që i ka në tavolinë dhe që janë bërë publike dhe që nuk janë bërë publike. Bëhet fjalë për çështje të rënda implikimesh që kanë shkuar deri në kërcënim të stabilitetit të vendit dhe sigurisë kombëtare. Prokuroria ka në tryezë jo një, por shumë çështje të rënda që implikojnë drejtpërdrejt ish-ministra dhe zyrtarë të lartë. Ne mund të bëjmë çdo gjë, por s’mund të marrim përsipër të bëjmë edhe prokurorin, edhe gjyqtarin. Por një gjë: ne nuk do të bëjmë sehir përballë kësaj farse dhe korrupsionit në gjyqësor. Ne do të bëjmë një reformë të drejtësisë pa marrë përsipër të bëjmë gjykatësin dhe prokurorin, por nuk mund të mbyllim sytë përballë gjykatësit dhe prokurorit të korruptuar që në gjithë këto vite ia morën frymën këtij populli.
Zoti Kryeministër, do ta marrë Shqipëria statusin e vendit kandidat në qershor?
Kur unë thosha në dhjetor që Shqipëria u penalizua nga ekstremistë në disa vendet anëtare, shumëkush nga opozita dhe të tjerë me gjithfarë mënyrash e përqeshën këtë që thashë unë, ndërsa sot jemi përpara provës, jo vetëm Shqipëria u penalizua, por që nga ana tjetër, vetë BE po penalizohet për shkak të rritjes së këtyre forcave ekstremiste dhe unë kam qenë shumë i hapur me të gjithë ata që kam takuar, partnerët tanë në këtë aspekt. Ua kam thënë në sy që rruga e zgjedhur nga disa prej forcave të moderuara për të luftuar me këta idiotë, se të tillë janë në këndvështrimin tim, që duan të shkatërrojnë BE, që janë shprehje e tendencave raciste, anti-myslimane, që janë në thelb të prirur që ta refuzojnë dhe përbuzin Shqipërinë dhe gjithë rajonin. Nuk fitohet lufta me argumentet e tyre, por duhet bërë ballë përballë, si Renzi në Itali.
Sapo quajtët një të tretën e Parlamentit Europian idiotë. Në një intervistë keni quajtur injorantë 90% të eurodeputetëve, duke u thënë që nuk njohin mekanizmin e dhënies së statusit. Mendoni që këto deklarata nga Kryeministri i Shqipërisë ndihmojnë kur kanë mbetur pak ditë nga statusi?
S’kam asnjë kompleks përballë këtyre ekstremistëve dhe nuk kam fjalë të tjera për tipa si Umberto Bossi apo ai i Anglisë që thotë “futëm dhelprën në kotecin e pulave të Europës”. Unë kam pikëpamjen time dhe i qëndroj asaj. Është pikëpamja e të gjithë atyre që janë europianë dhe që duan BE-në jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Europën. Dhe kam quajtur të paditur 99 për qind të deputetëve të vendeve anëtare që nuk e dinë ndryshimin mes statusit, negociatave dhe anëtarësimit dhe kjo është e vërtetë.
Edhe një herë: do ta marrim apo jo statusin?
E rëndësishme është që Komisioni Europian thotë po dhe ky është matësi ynë. Ne na duhet një raport pozitiv nga Komisioni dhe këtu e kemi kryer detyrën dhe në momentin që vendet anëtare ulen për ta diskutuar… një pjesë e vendeve kanë probleme të mëdha me veten.