Nga sot përgjegjësi i vetëm për vonesën në ndërtimin e Xhamisë së Madhe të besimtarëve myslimanë, është Skënder Bruçaj. Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama ndërsa i dorëzoi kreut të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë lejen për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë në qendër të Tiranës.
“Dhe ashtu si Shën Thomai që nuk besonte pa prekur, se u bë një histori kaq e gjatë e në këtë godinë u bëmë kaq shumë burra medemek të mëdhenj, jo për ngas gjatësia, por nga pushteti, që hyjnë e dalin e flasin për leje. Unë di të them vetëm kaq: Ja ku e keni përfundimisht lejen e ndërtimit të xhamisë së re që është po aq e vërtetë saç është e vërtetë shqiponja me dy krerë dhe përkrenarja e Skënderbeut në këtë dosje. Dhe që nga ky moment ka vetëm një përgjegjës për vonesat, emri i tij është Skënder Bruçaj”, deklaroi Rama.
Bruçaj: Këtë përgjegjësi do ta çojmë deri në fund për të pasur një xhami siç e kanë ëndërruar besimtarët.
Rama: Mos e lini të përmendë më Zotin kur vjen puna tek ndërtimi, po të bëjë ndërtimin tani, se Zoti e bëri të vetën.
Xhamia e Namazgjasë do të ndërtohet me vetëfinancim nga Komunitetit Mysliman i Shqipërisë, ndërsa qeveria ka marrë përsipër dëmshpërblimin e pronarëve të truallit mbi të cilin ndërtohet ky objekt kulti.
Por ndryshe nga projekti i Bashkisë së Tiranës që parashikonte përbri Xhamisë edhe një qendër tregtare, qeveria do të financojë ndërtimin e Muzeut të Bashkëjetesës.
Ashtu siç edhe i kishte premtuar kreut të Komunitetit Mysliman, të cilin Rama e quajti mikun e tij, leja për ndërtimin e Xhamisë së Madhe iu dorëzua myslimanëve në vigjilje të festave të 28-29 Nëntorit, ditë këto që veç simbolikës së çlirimit e pavarësisë së vendit do të simbolizojnë sipas kryeministrit, edhe çlirimin e komunitetit mysliman.
“Jam krenar që në një kohë të shkurtër në detyrën tonë i dhamë zgjidhje një problemi që qëndroi hapur kaq gjatë, kjo tregon se ky problem ka qëndruar hapur si shprehje e mungesës së vullnetit politik, mungesës së përgjegjshmërisë qytetare të drejtuesve të këtij vendi në raport me këtë komunitet, të cilin për fatin më të keq e kanë parë si një burim të ardhurash në vota, duke u munduar gjithnjë të adresojnë zemëratën për mungesën e kësaj xhamie tek kundërshtari. Jam i lumtur që sot s’kemi një xhami ngjitur një pallati e qendre kombëtare, por një xhami pranë së cilës do të ngrihet një muze i bashkëjetesës fetare, Namazgjaja të jetë vendi i lutjes, dhe jo monumenti më i shëmtuar i bashkëjetesës mes pasionit të besimtarit dhe prurjeve të zullumit të politikës”, tha kreu i qeverisë nga selia e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Për kreun e qeverisë, Xhamia e Madhe do të shërbejë jo vetëm për faljen e besimtarëve, por edhe për kureshtjen e kujdo që do të njihet me kulturën e besimit islam, duke i dhuruar qytetit një hapësirë të re kulturore.
“U fol për harram aty ku paqshëm nga dheu do të lartësohet jo një simbol përfitimi por një simbol për shpirtin. Një xhami me qendrën e vet kulturore dhe me të gjitha hapësirat brenda saj, një objekt që shumëkush do të kërkojë të hyj, në mos për tu falur për të marrë mësime, për të qenë pjesë e një jete kulturore, duke qenë se ku objekt na jep edhe një hapësirë të re kulturore në qytet”, tha Rama