Home Politike Rama: As ne shtator nuk ka ndryshime ne qeveri

Rama: As ne shtator nuk ka ndryshime ne qeveri

104
0

185186TIRANE- Kryeministri Rama nuk do të bëjë ndryshime në Qeveri as në shtator. Ai tha se pushimet e gushtit janë të mjaftueshme që ministrat të vijnë me energji të reja për të filluar punë në sesionin tjetër. “Rifreskimin do ta bëjë gjatë pushimeve të gushtit.

“Çdonjëri nga anëtarët e qeverisë do të shkojë për t’u rifreskuar me pushime dhe do të kthehet në punë dhe qeveria do të vazhdojë kështu siç është. Nuk kemi në plan të bëjmë ndryshime qeverie, se nuk shohim arsyet për t’i bërë”,– tha Rama.

Kryeministri njoftoi një tjetër aksion të fuqishëm kombëtar, me të njëjtën intensitet si ai për energjinë, dhe ky i fundit do të luftojë informalitetin.

“Në shtator, ne do të fillojmë një tjetër operacion të madh, i cili për nga natyra dhe agresiviteti do të jetë i ngjashëm me atë të energjisë, do të jetë i ngjashëm me atë të territorit, do të jetë i ngjashëm me atë të mbylljes së universiteteve. Ky do të jetë operacioni kundër informalitetit. Do të jetë një operacion kompleks. Parlamenti do të trajtojë në fillim të sesionit të ardhshëm, paketën e masave rënduese penale kundër evazionit fiskal, kundër kontrabandës, kundër skllavërisë të punës në të zezë”, – tha Rama, teksa shtoi se lufta kundër informalitetit do të jetë kryefjala e gjithë 300 ditëshit tjetër.

Sa i takon dekriminalizimit, Rama tha se mazhoranca do ta votojë draftin e saj, pavarësisht qasjes së opozitës.

“Ne e kemi thënë që në krye të herës dhe sikur PD të kishte pasur vizion, – por nuk kanë ku ta gjejnë se vizioni nuk është sëmundje ngjitëse, – dhe vullnet, ne mund ta kishim bërë me kohë ligjin.Pritëm propozimet e tyre dhe na erdhën ca paçavure ku thuhej se kush donte të kandidonte duhet të shkonte të “linte” gishtat tek KQZ dhe këta do të bënin kontrollin e gishtave, sikur KQZ të ishte nuk e di çfarë agjencie. Ne nuk mund të shkonim pas atyre paçavureve dhe tani do ta çojmë, ne, draftin dhe do ta miratojmë ne, me ata ose pa ata”, – tha kryeministri, teksa shtoi se në partinë e tij, nuk ka të inkriminuar.

“Përsa i përket zgjedhjeve vendore, unë jua përsëris, ne nuk kemi kandiduar asnjë njeri me rekorde kriminale. Jua them prapë, se për mua rekordet kriminale janë ato të cilat janë të gjykuara qoftë edhe në shkallën e parë”, – tha Rama.

Duke ju referuar reformës në drejtësi, kryeministri tha se kjo do të bëhet nga ekspertët dhe politika thjesht do ta votojë atë.

“Reforma në Drejtësi është ndërtuar mbi një parim; Do ta bëjnë ekspertët, do ta votojë Kuvendi. Nuk do ta bëjë politika dhe nuk do të jetë një reformë negociatash politike. Do ta bëjnë ekspertët. Ekspertët kanë punuar, është bërë një analizë, është bërë një strategji dhe ne do t’i japim të gjithë vullnetin politik, me vote, paketës së drafteve që do të vijnë nga ekspertët”,-u shpreh Rama.

Kryeministri nuk la pa prekur në konferencën e tij ty orësh edhe pasardhësin e tij, Sali Berisha, kur tha se nuk mund ta konkurronte dot, për patosin me të cilin Berisha fliste kur komentonte vizitat historike që kishte pasur dhe personalitetet që kanë vizituar Shqipërinë.

Batutat, “Berisha që nuk preku kurrë topin, bënte statuse orgazmike”
Kam kënaqësinë e veçantë të jem këtu me Armelën, pasi Endri është me mision jashtë vendit.
Për dekriminalizimin: Nuk shoh probleme higjienike në Partinë Socialiste, të asnjë natyre, në fakt

Perfomanca e financave: Fjalën ‘e kënaqshme’, unë nuk e përdor asnjëherë. Unë përgjithësisht jam njeri i pakënaqur, me veten, me ju, me pronarët tuaj, me të gjithë.
Marrëdhëniet me LSI: Besoj që për shkak të detyrës, termometrin e mbani ju. Unë nuk kam termometër për marrëdhëniet.

Për sportin: Ju i keni parë, se ka pasur këtu, jo vetëm paraardhësi im, por edhe të tjerë që nuk i kanë rënë një herë topit me këmbë postonin statuse orgazmike.
Për Berishën: Nuk po zgjatem me vizitat historike që kemi pasur dhe me personalitetet që kanë vizituar Shqipërinë. Këto i bënte shumë më mirë dhe me shumë më tepër pathos, paraardhësi im, kështu që unë nuk e konkurroj dot.

Për Nikollën: Ministrja jonë të Arsimit, në fillim u pa me skepticizëm, por që provoi se një drejtoreshë e shkollës së mesme mund ta drejtonte arsimin më mirë se gjithë profesorët, që e kanë drejtuar në të shkuarën.

Për Braçen: Ju sugjeroj me këtë rast, që ta vizitoni Karavastanë. Për çdo detaj mund të kontaktoni deputetin e zonës, që është intensivisht i përfshirë dhe që ka një meritë të veçantë për gjithçka ka ndodhur në atë zonë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here