“Rama është një nacionalist i rrezikshëm për paqen dhe stabilitetin e rajonit”. Kështu e cilëson e përditshmja greke “To Vima” kryeministrin shqiptar, pas mosmarrëveshjeve të fundit mes Tiranës dhe Athinës lidhur me kërkimet për naftë në Detin Jon.
“To Vima” shkruan për kryeministrin shqiptar, Edi Rama, që sipas saj që nga ardhja në pushtet krijoi destabilizim në rajon.
“Edi Rama erdhi në pushtet me premtimet për paqe dhe stabilitet, por shpejt kjo gjë ndryshoi. Rama bëri kapërcime absolute dhe gjithçka nisi pas ndeshjes Serbi-Shqipëri, ku ai ndezi zjarret e nacionalizmit shqiptar në Ballkan. Ai pas dronit me flamurin e Shqipërisë së Madhe, shkoi më tej duke e ngarkuar foton në llogarinë e tij në Facebook dhe madje duke e shpalosur edhe përpara Kryeministrisë”, shkruhet në artikullin e të përditshmes greke, që njihet për qëndrimet e saja pro qeverisë.
Ngjarjet në Kumanovë, sipas gazetës greke vijnë nga kërkesa e Shqipëria për ndryshimin e kufijve, referuar kërkesës së Tiranës për të mos lejuar kërkimet për naftë në Detin Jon, pjesë e territorit shqiptar. Dhe gazeta e pranon se kjo tashmë është kthyer në një çështje mes dy vendeve.
Më tej, gazeta nënvizon se të gjendur në kushtet e varfërisë, Rama po përpiqet të marrë votat e nacionalistëve, dhe se me këtë tezë po përpiqet të largojë vëmendjen nga problemet reale që ka vendi.
To Vima shkruan se edhe fqinjët janë të frikësuar për një destabilizim të rajonit dhe për këtë janë njoftuar edhe ndërkombëtarët.
“To Vima” shkruan se çdo gjë do të nisë në Maqedoni, ku shumë shpejt popullsia shqiptare, e cila sot është 30%, nesër do të jetë shumicë dhe do të kërkojnë ndarjen.