Me arsyetimin e 22 marsit, ditës së ndarjes nga diktatura, kryeministri Berisha ka shpallur sot në mbledhjen e qeverisë faljen e detyrimeve të prapambetura të energjisë elektrike për disa kategori qytetarësh.
Duke bërë një krahasim të situatës në ditët e sotme me atë të 20 viteve më parë, Berisha tha se “në mars 1992 në Shqipëri kishte 80 % papunësi, sot ka një varfëri 12 %, dhe papunësia është afërsisht kaq”. Sipas tij, “në fytyrën njerëzore të kësaj qeverie mbetet angazhim konstant ndihma për ata që janë më në nevojë”.
Më tej ai u shpreh se në kudër të 22 marsit, qeveria vendos të çlirojë nga detyrimet e prapambetura deri në datën e marrjes në dorëzim të KESH-it nga CEZ-i të gjitha detyrimet disa kategorive qe ai i permblodhi si “familje me ndihmë ekonomike, pensionistët, invalidët, gratë kryefamiljare, personat me status jetim”.
Sipas Berishës, i cili e theksoi disa herë se kjo falje bëhet me rastin e 22 marsit, me këtë vendim mendohet të çlirohen këto kategori qytetarësh nga një barrë të cilës nuk kanë mundur t’i përgjigjen me përpikëri, për shkak të diferencës të madhe në të ardhura me kategorinë tjetër të popullatës.
Gjithashtu, kreu i egzekutivit bëri të ditur një kontribut nga buxheti i shtetit shqiptar prej 100 000 dollarësh për Japoninë.