TIRANE– Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar pasditen e djeshme një ceremoni mirënjohje me klerikët për mbarëvajtjen e vizitës së Papa Franceskut në vendin tonë. Ndërsa ka shprehur falënderime për institucionet që u kujdesën për vizitën e Papa Franceskut, kreu i qeverisë tha se kjo ditë e përcolli ndryshe Shqipërinë në sytë e botës. Duke u ndalur tek harmonia fetare në vendin tonë, Rama tha se në ditën e vizitës së Atit të Shenjtë në Shqipëri, vendi ynë u pa i zhveshur nga paragjykimet apo nga mënyra si vendet e huaja e shihnin më parë.
Fjala e kryeminstrit Edi Rama.“Kërkesa e Kishës dhe e mikut tonë dhe kam nderin të them edhe mikut tim, Rrok Mirditës, për të na shprehur falënderimet lidhur me atë që u përpoqëm dhe bëmë. Dhe për mirënjohjen që gjithçka u arrit të përjetohej aq bukur atë ditë. Kjo na jep mundësinë të rimblidhemi këtu dhe të ripërjetojmë atë mesazh të posaçëm që na u përcoll.
Kanë qenë të panumërta edhe shprehjet e të njëjtit emocion nga shumë njerëz që nuk i kam përjetuar drejtpërdrejt, por mendimet e të cilëve kam mundur t’i lexoj nëpërmjet përshtypjeve në telefon, e-mail, apo rrjetet sociale.
Ardhja në Shqipëri e një lideri të përbotshëm shpirtëror, një flamurtari të madh të përpjekjes së njeriut kundër çdo kufiri, çdo pparagjykimi, çdo ndasie mes njerëzisht të lindur të barabartë pavarësisht nga feja, ngjyra, etnia, shtresa sociale. Ishte një mrekulli shumë e rralle për botin e trazuar në të cilën jetojmë.
Lajmi nuk kishte si të mos merrte dhenë dhe si të mos bënte përshtypje te shumë të huaj, për të cilt Shqipëria nuk ishte ajo që u pa atë ditë. Shqipëria u pa e zhveshur nga të gjitha paragjykimet dhe të gjitha llojet e rrobave që i kanë veshur në sytë e botës qoftë historia, qoftë episodet e tranzicionit, qoftë perceptimi i mediave ndërkombëtare. U pa se s’ka sherr dhe nuk ka ndasi fetare, që gjetke përdoren për lufta e masakra të mëdha. Të gjithë shqiptarët nuk kanë asnjë konflikt, luftë fetare apo etnike me të tjerët. Dhe përmes kësaj bota mundi të shohë se shqiptarët nuk kanë probleme të tilla”, u shpreh kryeministri Rama.
Në kuadër të vizitës së tij në Shqipëri, Papa Francesku i ka dhuruar kryeministrit Rama dhe ministres Mirela Kumbaro dy medalje mirënjohje.